‘Volejbolli në Shkolla’, një hap i ri për të ardhmen e këtij sporti në Kosovë

‘Volejbolli në Shkolla’, një hap i ri për të ardhmen e këtij sporti në Kosovë

Në ambientet e Federatës së Volejbollit të Kosovës, në prani të drejtuesve të FVK-së dhe përfaqësuesve të programit Sport në Shkolla nga Federata e Sportit Shkollor, u shpërndanë pajisjet sportive për shkollat përfituese në sportin e volejbollit.

Në këtë fazë të programit janë përzgjedhur 14 shkolla nga mbarë Republika e Kosovës, të cilat kanë plotësuar kriteret përkatëse.

Nxënësit e këtyre shkollave do të kenë mundësinë të ndjekin kurse falas të volejbollit si orë jashtë-mësimore, duke u afruar edhe më shumë me sportin që sjell energji, disiplinë dhe bashkëpunim.

“Projekti ‘Volejbolli në Shkolla’ është pjesë e programit kombëtar Sport në Shkolla, i cili mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe zbatohet nga Federata e Sportit Shkollor, në partneritet të ngushtë me Federatën e Volejbollit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e FVK-së.

FVK-ja sipas këtij njoftimi, mbetet e përkushtuar që përmes këtij programi të krijojë gjenerata të reja volejbollistësh, duke ndërtuar bazën për sukseset e ardhshme të sportit tonë. Sport – Edukim – Shëndet për fëmijët tanë!

Share This