Vrasja e Charlie Kirk, autoritetet në kërkim të autorit

Vrasja e Charlie Kirk, autoritetet në kërkim të autorit

Autoritetet kanë publikuar pamje të reja të momentit të arratisjes së të dyshuarit, ku ai shihet duke vrapuar mbi çatinë e një ndërtese dhe më pas duke u zhdukur në një zonë të pyllëzuar pranë kampusit.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur gjurmë pëllëmbe, një shenjë këpucësh Converse dhe materiale që mund të përmbajnë ADN.

Komisioneri i Sigurisë Publike të Utah, Beau Mason, bëri të ditur se i dyshuari kishte veshur një bluzë të zezë me flamurin amerikan dhe shqiponjë, xhinse blu, një kapelë me trekëndësh, syze dielli dhe një çantë shpine të zezë. Këto elemente janë bërë publike me qëllim identifikimin nga qytetarët, rasporton CNN.

Një student raportoi se kishte parë një person me pamje të ngjashme në çatinë e ndërtesës disa ditë para vrasjes, por nuk kishte informuar autoritetet deri pas ngjarjes.

Kërkohet ndihma e publikut

Autoritetet vazhdojnë të bëjnë thirrje për ndihmë nga qytetarët për çdo informacion që mund të çojë në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit.

“Nuk mund ta çojmë këtë hetim përpara pa ndihmën e publikut”, theksoi guvernatori Cox, duke shtuar se “çdo informacion mund të jetë kyç”, raporton CNN.

Reagimet politike dhe institucionale

Guvernatori i Utah, Spencer Cox, deklaroi gjatë një konference për shtyp se do të kërkohet dënimi me vdekje për autorin e kësaj vrasjeje, në momentin kur ai të arrestohet.

“Kemi përgatitur dokumentacionin dhe jemi në koordinim të plotë me autoritetet gjyqësore. Ky akt do të trajtohet me ashpërsinë maksimale që lejon ligj”, tha guvernatori.

Cox shtoi gjithashtu se FBI ka marrë mbi 7,000 informacione dhe sinjalizime nga publiku, një nivel i paprecedentë që nga sulmi i Maratonës së Bostonit në vitin 2013.

Hetimi po zhvillohet me përfshirjen e mbi 20 agjencive të zbatimit të ligjit dhe ka përfshirë afro 200 intervista me dëshmitarë dhe persona të përfshirë në ngjarje.

Vrasja e Kirk ka ndezur një debat të gjerë mbi sigurinë e fushatave politike, sidomos atyre të zhvilluara në ambiente të hapura. Shumë ligjvënës, përfshirë senatorin republikan Kevin Cramer, kanë shprehur shqetësimin se format tradicionale të kontaktit me qytetarët po bëhen gjithnjë e më të rrezikshme.

“Më pëlqen të jem i qasshëm për votuesit, por kjo po kthehet në një rrezik të drejtpërdrejtë. Është për të ardhur keq, por mund të jemi të detyruar të kalojmë në takime të mbyllura”, u shpreh senatori Cramer.

Guvernatori Cox paralajmëroi gjithashtu se platforma sociale po shfrytëzohen nga botet dhe aktorë të huaj, sidomos nga Rusia dhe Kina, për të përhapur dezinformim dhe për të nxitur tensione të brendshme.

“Jemi në një kohë ku dezinformimi nga jashtë po përpiqet të ndezë dhunë dhe përçarje brenda vendit. Duhet t’i rezistojmë kësaj”, tha ai.

Vrasja e aktivistit konservator amerikan Charlie Kirk gjatë një aktiviteti publik në Universitetin e Utah Valley ka shkaktuar një tronditje të thellë në opinionin publik dhe ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë e figurave politike në Shtetet e Bashkuara.

Kirk, i njohur si themelues i organizatës “Turning Point USA” dhe një zë i fuqishëm i konservatorizmit të të rinjve, u qëllua për vdekje me një plumb supersonik, teksa po zhvillonte një takim të hapur me studentë. Sipas ekspertëve, ngjarja përbën kulmin e një viti të mbushur me episode dhune politike në vend.

Share This