
Flick: Barcelona synon të fitojë Ligën e Kampionëve
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka folur të shtunën në një konferencën për media para ndeshjes së nesërme kundër Rayo Vallecanos, duke rikthyer ambiciet e katalanasve për triumf në arenën evropiane.
Tekniku gjerman u shpreh se për një klub si Barcelona, objektivi është i qartë: trofeu i Ligës së Kampionëve.
“Objektivi është të fitojmë Ligën e Kampionëve. Mendoj se për të gjitha klubet si Barcelona, qëllimi është ky. Është gara më e mirë në të cilën mund të luajmë. Ky format i ri është i çmendur,” tha Flick.
Ai kujtoi edhe ecurinë e sezonit të kaluar, kur Barcelona u ndal në gjysmëfinale nga Interi i Simone Inzaghit.
“Luajtëm një gjysmëfinale të shkëlqyer dhe meritonim më shumë, por edhe këtë sezon do të jetë njësoj. Do të punojmë shumë për të. Nuk do të jetë e lehtë, por do të japim gjithçka”, theksoi tekniku gjerman.


