Bajrami akuzon ZRRE-në: “Në shërbim të qeverisë dhe mafies energjetike”

Bajrami akuzon ZRRE-në: “Në shërbim të qeverisë dhe mafies energjetike”

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka akuzuar Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) se, sipas saj, është vënë në shërbim të qeverisë dhe mafies energjetike.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka rikujtuar se në nëntor të vitit 2024, bordi i ZRRE-së kishte miratuar një dokument ku theksohej se:

“Për periudhën e shqyrtimit, bazuar në treguesit e analizuar, tregu i energjisë elektrike me shumicë dhe pakicë shfaq mungesë konkurrence dhe përqendrim të lartë.”

Deputetja e LDK-së ka ftuar kryetarin e bordit të ZRRE-së, si dhe gjithë anëtarët e tij, që të dalin publikisht në një debat televiziv për të sqaruar çështjet e hapura.

“Ejani në studio të flasim për tregun e lirë, për dokumentin e aprovuar nga vetë ZRRE-ja, për ekskluzivitetin që kanë NOA dhe EFT-ja e Vuk Hamoviqit në tregtimin e energjisë dhe për përgjegjësinë që ka ZRRE-ja në krejt këtë katrahurë,” ka shkruar Bajrami.

Ajo po ashtu ka ngritur çështjen e zbatimit të Ligjit për liberalizim në veri të Kosovës:

“A po e zbatoni Ligjin për liberalizim edhe në katër komunat veriore? Elektroserver është i licencuar nga ju apo jo? Ejani në studio e flasim edhe për këtë, sepse ligji nuk është tavolinë suedeze,” ka përfunduar Bajrami.

Share This