
Specialja vendos kufizime për vizitat e Hashim Thaçit
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është marrë vendim për vendosjen e kufizimeve në vizitat e ish-presidentit Hashim Thaçi nga 11 persona të caktuar, në kuadër të çështjes që lidhet me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.
Vendimi është marrë më 18 gusht 2025 nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot. Në listën e personave që nuk do të lejohen të kryejnë vizita jo të privilegjuara te Thaçi, përfshihen: Artan Behrami, Blerim Shala, Ismail Syla, Vllaznim Kryeziu, Milaim Ahmetaj, Milaim Cakiqi, Avni Kastrati si dhe katër persona të tjerë emrat e të cilëve mbeten të redaktuar.
Në kërkesën e saj, Prokuroria kishte propozuar që kufizimet të shtriheshin edhe te tre vëllezërit e Thaçit, me arsyetimin se gjatë vizitave ata kanë diskutuar për dëshmitarë të mbrojtur dhe për mënyrën se si ata duhet të dëshmojnë. Megjithatë, gjyqtarja Masselot e ka refuzuar këtë kërkesë, duke theksuar rëndësinë e respektimit të të drejtës për jetë familjare dhe duke marrë parasysh faktin se familja, përfshirë vëllezërit, i ofron mbështetje morale Thaçit, sidomos pas ndarjes nga jeta të babait të tij.
Prokuroria kishte pretenduar se disa nga personat e lartpërmendur, gjatë vizitave, kanë marrë udhëzime nga Thaçi për t’ua përcjellë tek dëshmitarët, duke e konsideruar këtë rrezik për zbulimin e informacioneve konfidenciale. Në një rast të veçantë, sipas vendimit, një prej personave të redaktuar ishte pjesë e një vizite më 1 korrik 2023 ku, së bashku me Thaçin, Behramin dhe Kastratin, u fol për dëshminë e një dëshmitari të mbrojtur.
Gjyqtarja Masselot ka vlerësuar se kufizimet janë të nevojshme vetëm ndaj individëve për të cilët ka indicie të besueshme për përfshirje në sjellje që cenojnë integritetin e procedurave, ndërsa çdo tre muaj këto masa do të rishikohen.
Në anën tjetër, kërkesa e Prokurorisë për të kufizuar diskutimet e Thaçit gjatë vizitave rreth çështjeve që lidhen me gjykimin është refuzuar. Sipas vendimit, atij nuk mund t’i ndalohet të flasë për tema që tashmë janë në domenin publik.
Hashim Thaçi gjendet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai po përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar ndaj tij është ngritur edhe aktakuzë për pengim të administrimit të drejtësisë.
Përveç Thaçit, për këtë rast të fundit janë të akuzuar edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi. /rtk/

