Trump organizon takimin Zelensky-Putin. Udhëheqësit evropianë kërkojnë garanci sigurie për Ukrainën

Trump organizon takimin Zelensky-Putin. Udhëheqësit evropianë kërkojnë garanci sigurie për Ukrainën

Presidenti amerikan Donald Trump, homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe shtatë udhëheqësit evropianë dolën optimistë nga takimi i zhvilluar një ditë më parë në Shtëpinë e Bardhë mbi armëpushimin Rusi-Ukrainë. Por ndonëse një armëpushim mes dy vendeve duket ende i largët, presidenti Zelensky i konsideroi bisedimet si ndër më të mirat, ndërsa shpehu gatishmërinë për një takim dypalësh me presidentin rus Vladimir Putin.

Nga ana e tij, presidenti Trump shprehu bindjen se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë në garantimin e sigurisë së Ukrainës në çdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë. Në këtë kuadër, ai ndërpreu takimin e tij me Zelenskyn dhe udhëheqësit europianë për të telefonuar Putin dhe për ta vënë në dijeni mbi vendimet e marra në takim, veprim ky i mirëpritur nga ana e udhëheqësit rus i cili shprehu mbështetjen për “negociata të drejtpërdrejta” midis Ukrainës dhe Rusisë.

Nga ana e tyre, udhëheqësit europianë të pranishëm në takim e shohin armëpushimin si një kusht të domosdoshëm për negociatat për t’i dhënë fund luftës, ndonëse Trump është më i përqendruar në sigurimin e një marrëveshjeje paqeje.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer, tha se ishte shumë i kënaqur me rezultatin e takimit duke theksuar se u dha ndjesia e unitetit. Ai theksoi se asnjë vendim nuk duhet të merret për Ukrainën, pa Ukrainën. Starmer shtoi se ditën e sotme (19 gusht) do të ketë negociata të mëtejshme mbi garancitë e sigurisë së Ukrainës me SHBA-në.

Tani do të punojmë me SHBA-në për ato garanci sigurie. Ne u kemi ngarkuar ekipet tona. Disa prej tyre madje do të mbërrijnë nesër për të filluar punën e detajuar mbi këtë. Garancitë do të siguronin njerëzit në Evropë, në Ukrainë, por veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar”, tha ai.

Kancelari gjerman Friedrich Merz i kërkoi Trumpit të ushtrojë presion mbi Rusinë për një armëpushim. “Nuk mund ta imagjinoj që takimi i ardhshëm të zhvillohet pa një armëpushim”, tha ai.

Presidenti francez Emmanuel Macron i bëri jehonë komenteve të Merz për një armëpushim, por tha gjithashtu se forcat ushtarake evropiane duhet ta ndihmojnë Ukrainën me ushtrime në terren.

Nga ana e tij presidenti finlandez Alexander Stubb përdori një ton më të kujdesshëm, duke thënë se nuk kishte “asgjë konkrete” në lidhje me pjesëmarrjen e SHBA-së në garancitë e sigurisë për Ukrainën. Sa i përket takimit dypalësh midis Zelenskyt dhe Putin, ai tha se udhëheqësit rus “nuk mund t’i besohet”. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e quajti Trumpin një “paqebërës pragmatik” dhe tha se udhëheqësit do të punojnë për garancitë e sigurisë gjatë ditëve të ardhshme. /rtsh/

Share This