Bajrami akuzon qeverinë për ‘hua’ ndaj RTK-së: Punëtorët pa paga prej 45 ditësh

Bajrami akuzon qeverinë për ‘hua’ ndaj RTK-së: Punëtorët pa paga prej 45 ditësh

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si qeveria po planifikon të ndajë mjetet për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK).

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami tha se qeveria po refuzon t’i alokojë RTK-së mjetet buxhetore të garantuara me Ligjin e Buxhetit dhe, në vend të kësaj, po ua ofron ato në formë huaje.

“Paratë që RTK-ja i ka të vetat ligjërisht, qeveria po ua jep si borxh dhe pastaj do t’ua ndalë po nga ky buxhet. RTK-ja ka 700 punëtorë që nuk janë paguar prej 45 ditësh. Mjaft me lojëra! Lironi fondet dhe paguani punëtorët për punën e bërë”, ka theksuar Bajrami.

Ajo e krahasoi këtë veprim me subvencionimin e librave në të kaluarën, kur qeveria u jepte para prindërve, por ato sërish përfundonin te shtëpitë botuese.

Në fund, deputetja citoi një thënie të Albert Einstein-it:

“Dy gjëra janë të pafundme: universi dhe budallallëku njerëzor, dhe nuk jam i sigurt për universin.” /Rekordi.net

Share This