Azerbajxhani dhe Armenia nënshkruajnë marrëveshje paqeje në Shtëpinë e Bardhë

Azerbajxhani dhe Armenia nënshkruajnë marrëveshje paqeje në Shtëpinë e Bardhë

Udhëheqësit e Azerbajxhanit dhe Armenisë nënshkruan një marrëveshje që synon t’i japë fund konfliktit dekadash, ndërsa u pritën nga presidenti Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, sipas BBC.

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe kryeministri armen, Nikol Pashinyan, shtrënguan duart pasi presidenti amerikan e përshkroi ngjarjen si “historike”.

“Kjo po pritej prej shumë kohësh”, tha Trump për marrëveshjen, e cila do të rihapë disa rrugë kryesore transporti midis vendeve dhe do të rrisë ndikimin e SHBA-së në rajon.

Gjatë viteve 1980 dhe 1990, Azerbajxhani dhe Armenia luftuan për kontrollin e Nagorni-Karabahut, një enklavë etnikisht armene në Azerbajxhan.

Dje, Trump tha se Armenia dhe Azerbajxhani kishin premtuar të ndalonin të gjitha luftimet “përgjithmonë”, si dhe të hapnin udhëtimet, biznesin dhe marrëdhëniet diplomatike.

“Ne sot po vendosim paqen në Kaukaz”, tha Aliyev.

“Ne humbëm shumë vite duke qenë të preokupuar me luftëra, pushtim dhe gjakderdhje”, shtoi ai.

Pashinyan e quajti nënshkrimin një “moment të rëndësishëm historik” në marrëdhëniet midis dy vendeve.

“Tridhjetë e pesë vjet ata luftuan, por tani janë miq dhe do të jenë miq për një kohë të gjatë”, tha Trump.

Shtëpia e Bardhë tha se, si pjesë e marrëveshjes, SHBA-të do të ndihmojnë gjithashtu në ndërtimin e një korridori të madh tranziti që do të quhet Rruga ”Trump” për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar.

Rruga do të lidhë Azerbajxhanin dhe enklavën e tij autonome Nahçivan, të cilat ndahen nga territori armen.

Në të kaluarën, Aliyev ka kërkuar që Armenia t’i japë vendit të tij një korridor hekurudhor për në Nahçivan.

Armenia donte të kishte kontrollin e rrugës dhe udhëheqësi i Azerbajxhanit në të kaluarën ka kërcënuar se do ta merrte korridorin me forcë.

Çështja ka ndaluar dhe bllokuar negociatat e mëparshme të paqes.

Të dy udhëheqësit vlerësuan Trumpin dhe ekipin e tij gjatë gjithë takimit.

“Presidenti Trump, në gjashtë muaj, bëri një mrekulli”, tha Aliyev.

Trump tha se kishte nënshkruar gjithashtu një marrëveshje dypalëshe me të dy vendet për të zgjeruar tregtinë e energjisë dhe teknologjisë./atsh/

Share This