
FIBA heton thirrjet antishqiptare në Kumanovë: Dënojmë pa rezerva dhe me vendosmëri gjuhën e urrejtjes
Federata Ndërkombëtare e Basketbollit njoftoi se ka nisur një hetim lidhur me thirrjet antishqiptare gjatë një ndeshjeje basketbolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë gjatë fundjavës në Kumanovë.
“Në këtë fazë, jemi duke mbledhur raportet dhe deklaratat përkatëse, jemi duke bashkëpunuar ngushtësisht me federatat kombëtare të përfshira, si dhe me autoritetet lokale dhe forcat e rendit”, tha FIBA duke theksuar se dënon pa rezerva dhe me vendosmëri gjuhën e urrejtjes dhe çdo lloj forme diskriminimi apo gjuhe raciste.
“Ne promovojmë në mënyrë aktive krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës dhe me respekt për të gjithë lojtarët, ekipet dhe tifozët, si një përparësi kryesore në sport”, – deklaroi Federata Ndërkombëtare e Basketbollit, raporton rtsh.
Sipas politikanëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, në turmën e tifozëve në ndeshjen e fazës së dytë parakualifikuese për Kupën e Botës që do të mbahet në Katar më 2027, janë dëgjuar thirrje si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, “Dhoma gazi për shqiptarët” dhe “Maqedoni e pastër”.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, një nga zyrtarët që ndoqi ndeshjen, dënoi pas dy ditësh thirrjet nacionaliste dhe ksenofobike. Ai sqaroi se ndonëse ishte i pranishëm në stadium nuk i kishte vënë re thirrjet e tifozëve, duke pretenduar se ato ishin bërë nga një grup i vogël njerëzish.
Incidenti shkaktoi reagime të ashpra në mes faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut si edhe në Shqipëri e Kosovë. Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut parashikon dënime nga 1 deri në 5 vite burg për thirrjet raciste dhe gjuhën e urrejtjes.


