
PDK-ja mbështet protestën e 7 gushtit për çlirimtarët, fton qytetarët të marrin pjesë
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka deklaruar mbështetjen e saj për protestën e paralajmëruar më 7 gusht 2025, organizuar nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, në shenjë kundërshtimi ndaj padrejtësive që, sipas saj, po ushtrohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka ngritur alarmin për zvarritjen e procesit gjyqësor, duke theksuar se më shumë se katër vjet e gjysmë pas paraburgimit, ende nuk ka një vendim përfundimtar për të akuzuarit.
“Zvarritja e këtij procesi dhe shmangia nga standardet e pritura të drejtësisë kanë ngritur shqetësime serioze, jo vetëm për të drejtat e të akuzuarve, por edhe për besimin e qytetarëve në vetë drejtësinë,” u shpreh Krasniqi.
Ai ka shprehur gjithashtu indinjatën ndaj raportimeve se gjykata po përdor prova të fabrikuara nga strukturat shtetërore të Serbisë, duke i cilësuar këto veprime si cenim të drejtësisë dhe të së vërtetës historike.
Në këtë frymë, PDK ka theksuar se mbështet protestën si një formë demokratike e shprehjes qytetare dhe si dëshmi e bindjes për pafajësinë e të akuzuarve.
“Ftoj të gjithë qytetarët që besojnë në drejtësinë e luftës sonë për liri, në dinjitetin dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës, që t’i bashkohen kësaj proteste më 7 gusht, në orën 17:00, në sheshin ‘Skënderbeu’. Me çlirimtarët. Për drejtësi. Për Kosovën,” përfundoi Krasniqi.


