
Ardon Jashari kërkon më ngulm largimin nga Club Brugge, Milani ofron deri në 38 milionë euro
Mesfushori Ardon Jashari po përpiqet me ngulm të bindë Club Brugge që të pranojë ofertën e fundit nga AC Milan dhe ta lejojë të largohet drejt Serie A.
Sipas burimeve të “Nieuwsblad”, lojtari ka shprehur qartë se nuk dëshiron më të luajë për Club Brugge, duke e thelluar presionin mbi drejtuesit belgë, transmeton Rekordi.net.
Qëndrimi i vendosur i Jasharit vjen në një kohë kur negociatat mes dy klubeve kanë ngecur. AC Milan ka bërë një ofertë të re prej 33.5 milionë eurosh, të shoqëruar me 2 milionë euro bonuse të lehta dhe 2.5 milionë euro shtesë, për një total që mund të arrijë në 38 milionë euro.
Megjithatë, Club Brugge nuk e ka refuzuar ende zyrtarisht ofertën, por raportimet nga Belgjika sugjerojnë se drejtuesit janë të prirë ta hedhin poshtë.
Ndërkohë, Jashari mungoi në debutimin fitues të Club Brugge ndaj Genk dhe vazhdon të stërvitet i vetëm në shtëpi, në pritje të një zgjidhjeje.
Vendosmëria e tij, e përmendur edhe nga presidenti i Milanit, Paolo Scaroni, është sinjal i qartë se lojtari e sheh të ardhmen e tij në “San Siro”. /Rekordi.net/

