
Starmer paralajmëron Izraelin: Britania do të njohë shtetin palestinez në shtator nëse nuk ka armëpushim në Gaza
Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi sot se Mbretëria e Bashkuar është gati të njohë zyrtarisht shtetin palestinez në shtator, nëse Izraeli nuk ndërmerr hapa thelbësorë drejt paqes afatgjatë dhe nuk pranon një armëpushim në Gaza. Ky paralajmërim vjen në mes të një presioni ndërkombëtar në rritje për njohjen e shtetësisë palestineze.
Starmer thirri tw martwn ministrat për një takim të rrallë kabineti gjatë verës për të diskutuar situatën e përshkallëzuar në Gaza. Ai theksoi se Britania do ta njohë shtetin e Palestinës përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por vetëm “përveç nëse qeveria izraelite ndërmerr hapa thelbësorë për t’i dhënë fund situatës së tmerrshme në Gaza, arrin një armëpushim, e bën të qartë se nuk do të ketë aneksim në Bregun Perëndimor dhe angazhohet për një proces paqeje afatgjatë që ofron një zgjidhje me dy shtete”.
Kryeministri britanik nuk kurseu kërkesat as për Hamasin, duke theksuar se grupi duhet “të lirojë të gjithë pengjet, të bjerë dakord për një armëpushim, të pranojë që nuk do të luajë asnjë rol në qeverinë e Gazës dhe të angazhohet për çarmatim”.
Starmer bëri të qartë se qeveria e tij do të vlerësojë në shtator “se sa larg palët i kanë përmbushur këto hapa” përpara se të marrë një vendim përfundimtar për njohjen.
Britania ndryshon qëndrim, rritet presioni ndërkombëtar
Tradicionalisht, Britania e Madhe ka mbështetur idenë e një shteti të pavarur palestinez që ekziston përkrah Izraelit, por gjithmonë ka insistuar se njohja duhet të vijë si pjesë e një zgjidhjeje të negociuar me dy shtete. Deklarata e sotme e Starmerit shënon një ndryshim të rëndësishëm në këtë qëndrim.
Presioni për njohjen zyrtare të shtetësisë palestineze është intensifikuar, sidomos pasi Presidenti francez, Emmanuel Macron njoftoi se vendi i tij do të bëhej fuqia e parë e madhe perëndimore që njeh një shtet palestinez, gjithashtu në shtator. Kjo ka nxitur diskutime dhe lëvizje edhe në vende të tjera evropiane.
Në Britani, më shumë se 250 nga 650 ligjvënës në Dhomën e Komunave kanë firmosur një letër ku i kërkojnë qeverisë të njohë shtetin palestinez.
Pavarësisht kushteve të vendosura, Starmer theksoi se Britania beson se “shtetësia është e drejtë e patjetërsueshme e popullit palestinez.” Kjo deklaratë nënvizon një angazhim themelor ndaj të drejtave të palestinezëve, ndërsa synon të ushtrojë presion për një armëpushim dhe zgjidhje paqësore. /rtk/


