Për një vit u realizuan 523 incizime PET/CT, një ekzaminim i tillë në privat kushton 1 300 euro

Për një vit u realizuan 523 incizime PET/CT, një ekzaminim i tillë në privat kushton 1 300 euro

Të mërkurën janë bërë një vit që nga fillimi i ofrimit të shërbimit me aparaturën PET/CT në Shërbimin Klinik të Mjekësisë Nukleare, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka bërë me dije se gjatë këtij viti janë realizuar gjithsej 523 incizime PET/CT, duke i mundësuar qindra pacientëve që ta marrin këtë shërbim pa pagesë. Ndryshe, në sektorin privat një ekzaminim i tillë kushton nga 1,000 deri në 1,300 euro.

“Përveç lehtësimit të madh financiar për qytetarët, ky shërbim është një avancim domethënës në diagnostikimin e saktë dhe në kohë, veçanërisht në fushën e onkologjisë. Ky shërbim modern u bë i mundur falë angazhimit të Fondacionit ‘Jahjaga’, me përkrahjen e çmuar të Fondacionit ‘Al Walid’ nga Arabia Saudite. Që nga fillimi i instalimit të aparaturës në shkurt 2024, ShSKUK ka organizuar trajnime intensive për personelin mjekësor, përfshirë katër javë trajnim për stafin e mesëm, si dhe trajnime disa javore e mujore për specialistët e Mjekësisë Nukleare në Hungari, Maqedoninë e Veriut dhe Turqi”, ka njoftuar ShSKUK, duke shprehur mirënjohje të veçantë për punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e stafit të Klinikës së Mjekësisë Nukleare, të cilët kanë bërë të mundur funksionalizimin dhe ofrimin e pandërprerë të këtij shërbimi kompleks dhe shumë të rëndësishëm për pacientët.

Shërbimi me PET/CT në QKUK do të vazhdojë të ofrohet për të gjithë ata që kanë nevojë për të, si pjesë e përkushtimit të ShSKUK për avancimin e vazhdueshëm të kujdesit shëndetësor publik në vendin tonë.

Share This