Irani shpall fundin e luftës

Irani shpall fundin e luftës

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, njoftoi sot në një mesazh drejtuar kombit “fundin e luftës 12-ditore të imponuar nga Izraeli” dhe tha se nuk dëshiron të sigurojë armë bërthamore, por të zgjidhë të gjitha mosmarrëveshjet në tryezën e negociatave, raportoi agjencia e lajmeve IRNA.

“Sot, pas rezistencës heroike të kombit tonë të madh, i cili shkruan historinë me vendosmëri, po dëshmojmë hyrjen në fuqi të armëpushimit dhe fundin e asaj lufte 12-ditore të imponuar nga aventurizmi dhe provokimi i Izraelit”, shkroi Pezeshkian, transmeton Ballkani.info.

“Jemi të gatshëm të zgjidhim të gjitha mosmarrëveshjet në tryezën e negociatave”

Ai përsëriti se vendi i tij nuk po përpiqet të sigurojë armë bërthamore, por se do të vazhdojë, pasi armëpushimi me Izraelin të hyjë në fuqi, të mbrojë “të drejtën e tij legjitime” për të zhvilluar një program bërthamor civil.

Në një telefonatë me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Mohammed bin Zayed, Pezeshkian tha se “duke pasur parasysh marrëdhëniet e tyre me SHBA-në, ai pret që Emiratet e Bashkuara Arabe t’u shpjegojnë atyre se Irani dëshiron vetëm të ushtrojë të drejtat e tij legjitime”, shtoi IRNA.

Irani, përsëriti Pezeshkian, “nuk ka kërkuar kurrë të sigurojë armë bërthamore dhe nuk po kërkon ta bëjë këtë”. “Irani është gati të zgjidhë të gjitha mosmarrëveshjet në tryezën e negociatave”, vuri në dukje ai.

Share This