
Guterres: I alarmuar nga përdorimi i forcës së SHBA-së kundër Iranit
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se ishte “tepër i alarmuar” nga sulmi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj objekteve bërthamore iraniane, duke paralajmëruar për “pasoja katastrofike” për botën.
“Jam thellësisht i alarmuar nga përdorimi i forcës nga SHBA-ja kundër Iranit”, tha Guterres në një postim në X.
“Ky është një përshkallëzim i rrezikshëm në një rajon që tashmë është në buzë të trazirave dhe një kërcënim i drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, shtoi ai.
“Ekziston një rrezik në rritje që ky konflikt të dalë shpejt jashtë kontrollit – me pasoja katastrofike për civilët, rajonin dhe botën”, theksoi Guterres.
“U bëj thirrje shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara të ulin tensionet dhe të përmbushin detyrimet e tyre sipas Kartës së OKB-së dhe rregullave të tjera të së drejtës ndërkombëtare. Në këto orë të rrezikshme, është thelbësore të shmanget një spirale kaosi”, tha ai.
“Nuk ka zgjidhje ushtarake. E vetmja rrugë përpara është diplomacia. E vetmja shpresë është paqja”, shtoi Guterres.
Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi në mbrëmje se avionët amerikanë kishin sulmuar tre lokacione bërthamore në Iran, përfshirë vendin nëntokësor të pasurimit të uraniumit “Fordow” – që besohet gjerësisht të jetë një nga objektivat më të rëndësishme të Izraelit në konfliktin e tij të vazhdueshëm me Iranin.
Trump tha se sulmet kishin shkatërruar plotësisht dhe plotësisht, objektet kryesore të pasurimit bërthamor të Teheranit.
“Irani, tani duhet të bëjë paqe. Nëse nuk e bën, sulmet e ardhshme do të jenë shumë më të mëdha”, shtoi Trump.
Izraeli nisi fushatën ushtarake më 13 qershor, duke thënë se synonte të parandalonte Iranin nga ndërtimi i një arme bërthamore – një akuzë që Teherani e ka mohuar vazhdimisht, duke thënë se programi i tij bërthamor shërbente vetëm për qëllime civile. /atsh/