
Gjykata e Apelit i jep të drejtë Trump për kontrollin e Gardës Kombëtare në Kaliforni
Një gjykatë federale e apelit në SHBA ka vendosur të lejojë Presidentin amerikan Donald Trump të ketë kontroll mbi rreth 4,000 pjesëtarë të Gardës Kombëtare të Kalifornisë.
Vendimi pezullon përkohësisht një urdhër të mëparshëm që i kërkonte Trump të hiqte dorë nga kontrolli i trupave, të cilët ishin federalizuar për të forcuar sigurinë në Los Angeles gjatë trazirave të lidhura me ligjet e imigracionit.
Gjykata e Apelit e Qarkut të 9-të të SHBA-së vendosi se “ka të ngjarë që Presidenti ta ketë ushtruar ligjërisht autoritetin e tij statutor” bazuar në ligjin federal që ai thirri për të ndërhyrë në fillim të muajit. Paneli prej tre gjyqtarësh, ku dy janë të emëruar nga Trump dhe një nga Presidenti Biden, i dha kështu të drejtë përkohësisht ish-presidentit.
Kujtojmë se padia u depozitua nga Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, i cili e akuzonte administratën Trump për tejkalim të kompetencave dhe për shkelje të ligjit federal, duke pretenduar se nuk ishte respektuar procedura e kërkuar për federalizimin e trupave, e cila kërkon ndërmjetësimin e guvernatorit.
Më herët, gjykatësi i distriktit Charles Breyer kishte vendosur që Trump të dorëzonte kontrollin, por kjo u pezullua menjëherë nga Apeli dhe tani është shtyrë më tej nga vendimi i fundit, i cili do të jetë dhe ai përfundimtari.
Kalifornia mund të kërkojë ndërhyrjen e Gjykatës Supreme në rast emergjence, ndërsa procesi ligjor vazhdon.
Edhe pse vendimi favorizon Trump, gjykata hodhi poshtë disa nga argumentet e paraqitura nga avokatët federalë, duke deklaruar se kontrolli presidencial mbi federalizimin e trupave nuk është i pakushtëzuar. Megjithatë, gjyqtarët theksuan se veprimet e presidentit kishin një bazë të vlefshme, sidomos në kushtet e tensionit civil dhe dhunës ndaj pronës publike dhe agjentëve federalë. /rtsh/