Milani ofron 10 milionë euro për Xhakën, Leverksueni kërkon më shumë

Milani ofron 10 milionë euro për Xhakën, Leverksueni kërkon më shumë

Granit Xhaka vazhdon të mbetet një nga objektivat kryesorë të Milanit në këtë afat kalimtar veror.

Mesfushori kosovar shihet si profili ideal për stilin e lojës së trajnerit Massimiliano Allegri, falë përvojës së madhe dhe cilësive që e karakterizojnë.

Sipas mediave italiane, kuqezinjtë kanë nisur tashmë presionin ndaj Bayer Leverkusenit për të arritur një marrëveshje.

Madje, drejtori i ri sportiv i Milanit, Igli Tare, ka udhëtuar personalisht drejt Gjermanisë për të negociuar me drejtuesit e skuadrës gjermane.

E përditshmja italiane “La Gazzetta dello Sport” raporton se Milani ka paraqitur një ofertë zyrtare prej 10 milionë eurosh për kartonin e Xhakës, ish-futbollistit të Baselit, Borussia Monchengladbachut dhe Arsenalit.

Megjithatë, kjo shumë nuk ka bindur drejtuesit e Leverkusenit, të cilët kërkojnë rreth 15 milionë euro për ta lëshuar liderin e skuadrës.

Nga ana e tij, Granit Xhaka ka shprehur gatishmërinë për të provuar një aventurë të re në Serie A, pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Bayer Leverkusenin.

Gjatë sezonit 2024/25, 32-vjeçari zhvilloi 49 ndeshje në të gjitha garat, duke realizuar 2 gola dhe duke dhuruar 7 asistime. Sipas faqes së specializuar Transfermarkt, vlera e tij në treg është 12 milionë euro.

Share This