
Trump urdhër Iranit: Të gjithë duhet të evakuohen menjëherë nga Teherani
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë një thirrje urgjente për evakuim nga Teherani, duke reaguar ndaj përshkallëzimit të fundit të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit.
Me një postim në rrjetin Truth Social, pas largimit nga Samiti i G7-ës, Trump theksoi se Irani duhej të kishte firmosur marrëveshjen e propozuar prej tij në raundin më të fundit të bisedimeve bërthamore SHBA-Iran.
“Të gjithë duhet të evakuohen menjëherë nga Teherani. Irani duhet ta kishte nënshkruar marrëveshjen që u kërkova. Çfarë turpi dhe humbje jete njerëzore. Thënë thjesht: IRANI NUK MUND TË KETË ARMË BËRTHAMORE. E kam thënë vazhdimisht!”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Kjo deklaratë erdhi vetëm disa orë pasi Izraeli lëshoi një urdhër evakuimi për një pjesë të madhe të banorëve të Teheranit, duke paralajmëruar për sulme të afërta ndaj objektivave ushtarake në kryeqytetin iranian. Paralajmërimi u publikua në rrjetet sociale nga zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Kolonel Avichay Adraee.
Krizat mes dy vendeve u thelluan pas një sulmi të papritur izraelit ndaj Iranit të premten, në një kohë kur po zhvilloheshin negociata për marrëveshjen bërthamore midis Uashingtonit dhe Teheranit.
ktualisht, situata në Teheran është tejet e tensionuar. Qyteti me rreth 9 milionë banorë ndodhet në gjendje alarmi, ndërsa sulmet izraelite kanë filluar të përqendrohen edhe në sektorët strategjikë si nafta, gazi dhe infrastruktura ushtarake.
Kjo përshkallëzim i ri tregon se konflikti po zhvendoset drejt një lufte të gjerë dhe të rrezikshme në rajon, raporton rtsh.