
Jerusalem Post: Trump do t’i japë Iranit një shans të fundit
Presidenti amerikan Donald Trump po planifikon t’i japë Iranit një “shans të fundit” për të bërë një marrëveshje, raportoi Jerusalem Post, duke cituar zyrtarë amerikanë dhe evropianë.
Sipas informacioneve jozyrtare, oferta e re mund të jetë edhe më e favorshme se ajo e bërë një javë e gjysmë më parë, por gjithsesi do të bazohet në kërkesën e SHBA-së për zero tolerancë për pasurimin e uraniumit, transmeton Ballkani.info.
Sipas të njëjtit burim, Irani është përpjekur të ndërmjetësojë me administratën amerikane përmes Omanit dhe Katarit për të ndalur sulmet izraelite dhe për të rinovuar negociatat për programin bërthamor.
Arabia Saudite thuhet se po vepron përmes një kanali të veçantë me të njëjtin qëllim – për të arritur një armëpushim.
Trump konfirmoi sot se Irani i është drejtuar SHBA-së: “Duket se Irani nuk po e fiton këtë luftë. Ata duhet të flasin para se të jetë tepër vonë,” tha ai në Kanada.
SHBA po forcon praninë e saj ushtarake në rajon
Në të njëjtën kohë, SHBA po dërgon në rajon aeroplanmbajtësen USS Nimitz dhe 30 avionë për furnizim me karburant dhe sipas burimeve të Jerusalem Post po përgatiten kushtet për një sulm të mundshëm amerikan nëse Trump jep dritën jeshile.
Por ka mosmarrëveshje brenda administratës amerikane – ndërsa CENTCOM (komanda kryesore e ushtrisë) mbështet pjesëmarrjen në ofensivën izraelite, disa zyrtarë të rangut të lartë dhe një pjesë e bazës politike të Trump kundërshtojnë përfshirjen ushtarake të SHBA. /Ballkani.info/