
Asllani për Letoninë: Vijmë për fitore
Mesfushori kuqezi, Kristjan Asllani është paraqitur në konferencë për shtyp pranë trajnerit Silvinjo për të komentuar në funksion të ndeshjes me Letoninë, e cila do të luhet të martën në mbrëmje në stadiumin “Skonto”, në orën 20:45.
“Duhen karikuar bateritë, vijmë nga një ndeshje shumë pozitive nga aspekti i lojës, na mungoi vetëm rezultati. E dimë që këtu na pret një ndeshje e vështirë por ne do të zbresim në fushën e lojës për fitore”.
“Që kur ka ardhur trajneri Silvinjo i kam luajtur të gjitha ndeshjet. Por ana ime duhet lënë mënjanë, duhet të mendojmë për ndeshjen e nesërme. Kanë një trajner italian, e dimë se si punojnë. Do jetë sigurisht një ndeshje taktike, një ndeshje ku ata do mbrojnë shumë mirë. Tani nuk mendoj për Kristjan Asllanin, por mendoj për skuadrën, kemi ardhur këtu për të fituar”.
“Zelenkovs? Kemi kaluar besoj dy vite bashkë te Empoli. Ishte shumë i mirë teknikisht, do takohemi pas 3-4 vitesh. I lumtur që do e takoj përsëri, besoj se do ndërrojmë fanellat nesër, do ia kërkoj unë, shpresoj ta fitojmë këtë ndeshje”.