Justin Baldonit i rrëzohet padia 400 milionë USD ndaj Blake Lively dhe Ryan Reynolds

Justin Baldonit i rrëzohet padia 400 milionë USD ndaj Blake Lively dhe Ryan Reynolds

Një gjyqtar federal ka rrëzuar të hënën padinë për shpifje prej 400 milionë dollarësh të ngritur nga aktori dhe regjisori, Justin Baldoni kundër çiftit të fuqishëm të Hollivudit, Blake Lively dhe Ryan Reynolds.

Ky vendim shënon një zhvillim të rëndësishëm në betejën ligjore të vazhdueshme mes ish-yllit të serialit “Gossip Girl” Lively dhe Baldonit.

Baldoni paditi Lively-n dhe bashkëshortin e saj në janar, duke pretenduar se çifti kërkonte ta “shkatërronte” atë dhe karrierën e tij, pasi ia rrëmbeu filmin “It Ends With Us”.

Padia e tij përshkallëzoi një betejë ligjore që buron nga filmi, të cilin Baldoni e drejtoi dhe në të cilin luajti bashkë me Lively-n.

Një “fitore e plotë” për Lively dhe Reynolds

Avokatët e Lively-t, Esra Hudson dhe Mike Gottlieb, e quajtën vendimin “një fitore të plotë”. Në një deklaratë, ata shtuan: “Siç e kemi thënë që nga dita e parë, kjo padi ‘400 milionë dollarëshe’ ishte një mashtrim dhe Gjykata e rrëzoi atë.”

Mocionet për të rrëzuar pretendimet e Baldonit nga Lively, Reynolds dhe publicisti i tyre, Leslie Sloane, u miratuan të gjitha. Gjykatësi miratoi gjithashtu një mocion për të rrëzuar padinë e Baldonit prej 250 milionë dollarësh për shpifje kundër New York Times.

Baldoni kishte pretenduar se gazeta kishte botuar një artikull “të mbushur me pasaktësi, keqinterpretime” që mbështetej në “narrativën egoiste” të Lively-t.

Megjithatë, gjykatësi vendosi që Baldoni mund të paraqesë një padi të ndryshuar mbi akuzat për ndërhyrje të paligjshme në kontratë (në lidhje me Reynolds dhe Lively) dhe shkelje të marrëveshjes së nënkuptuar (në lidhje me Lively) deri më 23 qershor. CNN ka kontaktuar përfaqësuesit e Baldonit dhe New York Times për komente.

Saga e vazhdueshme mes Lively dhe Baldonit shpërtheu në dhjetor 2024, kur Lively ngriti për herë të parë një padi për shkelje të të drejtave civile. Ajo pretendonte se ishte ngacmuar seksualisht nga Baldoni gjatë prodhimit të filmit dhe më pas u hakmor për shkak se foli për keqtrajtimin e saj të supozuar. Baldoni i mohoi menjëherë pretendimet.

Lively më pas e përshkallëzoi ankesën e saj, duke ngritur zyrtarisht një padi kundër Baldonit. Ajo pretendoi se, pas ngacmimit seksual me komente dhe sjellje të papërshtatshme në sheshxhirim, ekipi i Baldonit orkestroi një fushatë shpifjesh kundër saj për të dëmtuar reputacionin e saj. Padia e Lively përmbante qindra mesazhe me tekst mes Baldonit dhe ekipit të tij të marrëdhënieve me publikun në krizë, përfshirë një mesazh që shkruante se mund ta “varrosnin” atë.

New York Times ishte e para që raportoi për ankesën e Lively-t në një artikull të titulluar “‘Mund të varrosim këdo’ brenda një makine shpifjesh në Hollywood.” Këto ankesa zakonisht janë konfidenciale.

Vendimi i gjykatësit nuk trajtoi meritat e ankesës së Baldonit, por vendosi se pretendimet e Lively për ngacmim seksual mbroheshin me ligj dhe nuk mund të formonin bazën e një pretendimi për shpifje. Ai citoi legjislacionin e Kalifornisë të krijuar pas lëvizjes #MeToo dhe theksoi se dhënia e ankesës së Lively-t te New York Times mbrohej nga “privilegji i raportimit të drejtë”.

Ndërsa beteja ligjore zhvillohej, ekipi i Baldonit publikoi një faqe interneti që përmbante tekste dhe një kronologji të supozuar, si dhe një shënim zanor të zbuluar. Këto dhe deklarata publike të avokatit të Baldonit ishin objekt i disa seancave gjyqësore.

Filmi “It Ends With Us”, ku luajtën Lively dhe Baldoni si një çift në ekran, paraqiste raste të dhunës në familje. Thashethemet për marrëdhënien e tyre të prishur profesionale filluan të përhapen gjatë turneut për shtyp të filmit në vitin 2024. /rtsh/

Share This