Cilat janë dosjet e Epstein mbi të cilat Musk akuzon Trumpin?

Cilat janë dosjet e Epstein mbi të cilat Musk akuzon Trumpin?

“Koha për të hedhur bombën vërtet të madhe: Trump është në dosjet e Epstein”, postoi Elon Musk në platformën X të enjten, në një deklaratë që mund të prishë përfundimisht miqësinë e tij me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

Nga një mbështetës i fuqishëm i administratës Trump, Musk është shndërruar në kritik të ashpër, veçanërisht pas mosmarrëveshjeve mbi “Projektligjin e Madh dhe të Bukur” të presidentit.

Musk, i cili financoi më parë fushatën e Trump dhe drejtoi Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë (DOGE) – një agjenci kontroverse – është larguar nga administrata, ndërsa e ka quajtur projektligjin “një gjë të neveritshme” që do t’i “ngarkojë qytetarët amerikanë me borxhe të paqëndrueshme”, shkruan Euronews.al, transmeton Periskopi.

Në një sërë postimesh në rrjetet sociale, Musk shkoi më tej duke akuzuar Trumpin, pa ofruar prova, se figuron në dosjet famëkeqe të Epstein – dosje të cilat, ironikisht, vetë Trump kishte kërkuar të bëhen publike. Ato përmbajnë emra të figurave të njohura nga bota e politikës dhe biznesit, të lidhura me rrjetin e shfrytëzimit seksual të të miturve.

Trump i ka hedhur poshtë akuzat e Musk, duke deklaruar për mediat se “Musk ka çmendur” dhe se nuk ekziston asnjë provë që e lidh atë me aktivitete të paligjshme të Jeffrey Epstein.

Çfarë janë dosjet Epstein?

Jeffrey Epstein, financier me ndikim në SHBA, u bë qendër e vëmendjes publike pas akuzave për abuzim seksual ndaj të miturve në fillim të viteve 2000. Ai u dënua me 13 muaj burg dhe në vitin 2019 u akuzua sërish në Nju Jork për trafik seksual, por vdiq në rrethana të dyshimta në burg para gjyqit.

Rasti Epstein mori përmasa globale për shkak të lidhjeve të tij me personalitete të larta, përfshirë Princin Andrew, Bill Clinton, Donald Trump, dhe figura të tjera publike. E dashura e tij, Ghislaine Maxwell, u dënua në vitin 2022 me 20 vjet burg për trafikim seksual të të miturve.

Marrëdhënia Trump–Epstein

Trump dhe Epstein njiheshin që në fund të viteve 1980, kur frekuentonin të njëjtat rrethe të pasura të Nju Jorkut. Ata janë fotografuar së bashku në festa të ndryshme dhe evente mondane. Trump në vitin 2002 e përshkroi Epstein si një “djalë të mrekullueshëm”, por më vonë marrëdhënia mes tyre u përkeqësua dhe, sipas Trump, u ndërpre për shkak të një konflikti mbi një marrëveshje për prona.

Trump ka mohuar çdo përfshirje në aktivitetet e paligjshme të Epstein dhe ka deklaruar se ka ndihmuar autoritetet në hetime. Biografi i Trump, Michael Wolff, publikoi vitin e kaluar intervista të Epstein, në të cilat ky i fundit e quante Trumpin “analfabet funksional”.

Përplasja Musk–Trump

Tensionet e fundit vijnë në një moment kur Musk është distancuar publikisht nga Trump dhe po flitet gjithnjë e më shumë për mundësinë që ai të mbështesë një alternativë të re politike. Nga ana tjetër, ekipi i Trump e ka përshkruar Musk si “të paqëndrueshëm” dhe ka hedhur poshtë akuzat e tij si trillime të motivuara politikisht.

Ndërkohë, kërkesa për transparencë mbi dosjet Epstein është rritur, me ligjvënës demokratë që kanë kërkuar hetim mbi arsyet pse dokumentet nuk janë zbuluar tërësisht. Shtëpia e Bardhë e ka quajtur këtë një “truk politik”.

Përplasja mes dy figurave më të zëshme të teknologjisë dhe politikës amerikane po ndjek me vëmendje nga opinioni publik, ndërsa pasojat mund të ndikojnë në mënyrë të ndjeshme klimën politike në SHBA në prag të zgjedhjeve të ardhshme.

Share This