
Çfarë ndodh me tarifat e Trump tani që një gjykatë i ka rrëzuar?
Një gjykatë federale në Nju Jork i bëri Presidentit Donald Trump një pengesë të madhe të mërkurën, duke bllokuar planin e tij të guximshëm për të vendosur taksa masive mbi importet nga pothuajse çdo vend në botë.
Një panel prej tre gjyqtarësh i Gjykatës Amerikane të Tregtisë Ndërkombëtare vendosi që Trump tejkaloi autoritetin e tij kur thirri Aktin Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike të Emergjencës të vitit 1977, për të shpallur një emergjencë kombëtare dhe për të justifikuar tarifat gjithëpërfshirëse.
Tarifat përmbysën dekada të tëra të politikës tregtare të SHBA-së, ndërprenë tregtinë globale, tronditën tregjet financiare dhe rritën rrezikun e çmimeve më të larta dhe recesionit në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën.
Gjykata Amerikane e Tregtisë Ndërkombëtare ka juridiksion mbi çështjet civile që përfshijnë tregtinë. Vendimet e saj mund të apelohen në Gjykatën e Apelit të SHBA-së për Qarkun Federal në Uashington dhe në fund në Gjykatën Supreme, ku pritet gjerësisht të përfundojnë sfidat ligjore ndaj tarifave të Trump.
Cilat tarifa bllokoi gjykata?
Vendimi i gjykatës bllokon tarifat që Trump vendosi muajin e kaluar mbi pothuajse të gjithë partnerët tregëtar të SHBA-së dhe taksat që ai vendosi më parë mbi Kinën, Meksikën dhe Kanadanë.
Më 2 prill, Trump vendosi të ashtuquajturat tarifa reciproke deri në 50% për vendet me të cilat Shtetet e Bashkuara kanë një deficit tregtar dhe tarifa bazë prej 10% për pothuajse të gjithë të tjerët. Më vonë ai i pezulloi tarifat reciproke për 90 ditë për t’u dhënë vendeve kohë për të rënë dakord për të ulur barrierat ndaj eksporteve amerikane. Por ai i mbajti në fuqi tarifat bazë. Duke pretenduar fuqi të jashtëzakonshme për të vepruar pa miratimin e Kongresit, ai i justifikoi taksat sipas IEEPA-s duke deklaruar deficitet tregtare të gjata të Shteteve të Bashkuara “një emergjencë kombëtare”.
Në shkurt, ai kishte thirrur ligjin për të vendosur tarifa ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës, duke thënë se fluksi i paligjshëm i emigrantëve dhe drogës përtej kufirit të SHBA-së përbënte një emergjencë kombëtare dhe se të tre vendet duhej të bënin më shumë për ta ndaluar atë.
Kushtetuta e SHBA-së i jep Kongresit fuqinë për të vendosur taksat, përfshirë tarifat. Por ligjvënësit gradualisht i kanë lejuar presidentët të marrin më shumë pushtet mbi tarifat – dhe Trump e ka shfrytëzuar këtë në maksimum.
Tarifat po kundërshtohen në të paktën shtatë padi. Në vendimin e së mërkurës, gjykata tregtare bashkoi dy nga çështjet – njëra e ngritur nga pesë biznese të vogla dhe një tjetër nga 12 shtete amerikane.
Vendimi lë në fuqi tarifat e tjera të Trump, duke përfshirë ato mbi çelikun, aluminin dhe automjetet e huaja. Por këto tarifa u vunë në zbatim sipas një ligji tjetër që kërkonte një hetim nga Departamenti i Tregtisë dhe nuk mund të vendoseshin sipas gjykimit të vetë presidentit.
Pse gjykata vendosi kundër presidentit?
Administrata kishte argumentuar se gjykatat kishin miratuar përdorimin emergjent të tarifave nga Presidenti i atëhershëm, Richard Nixon në një krizë ekonomike dhe financiare të vitit 1971, që lindi kur Shtetet e Bashkuara papritmas zhvlerësuan dollarin duke i dhënë fund një politike që lidhte monedhën amerikane me çmimin e arit. Administrata Nixon përmendi me sukses autoritetin e saj sipas Aktit të Tregtimit me Armiqtë të vitit 1917, i cili i parapriu dhe furnizoi një pjesë të gjuhës ligjore të përdorur më vonë në IEPPA.
Gjykata nuk u pajtua, duke vendosur që tarifat gjithëpërfshirëse të Trumpit tejkalonin autoritetin e tij për të rregulluar importet sipas IEEPA-s. Gjithashtu tha se tarifat nuk bënë asgjë për të trajtuar problemet që supozohej të adresonin. Në rastin e tyre, shtetet vunë në dukje se deficitet tregtare të Amerikës vështirë se përbëjnë një emergjencë të papritur. Shtetet e Bashkuara i kanë grumbulluar ato për 49 vjet rresht në kohë të mira dhe të këqija.
Pra, ku e çon kjo agjendën tregtare të Trump?
Wendy Cutler, një ish-zyrtare tregtare amerikane, e cila tani është nënkryetare në Institutin e Politikave të Shoqërisë Aziatike, thotë se vendimi i gjykatës “e hedh politikën tregtare të presidentit në trazira”.
“Partnerët që negociojnë fort gjatë periudhës 90-ditore të pauzës së tarifave mund të tundohen të shtyjnë bërjen e lëshimeve të mëtejshme ndaj SHBA-së derisa të ketë më shumë qartësi ligjore”, tha ajo.
Po kështu, kompanitë do të duhet të rivlerësojnë mënyrën se si i drejtojnë zinxhirët e tyre të furnizimit, ndoshta duke përshpejtuar dërgesat në Shtetet e Bashkuara për të kompensuar rrezikun që tarifat të rivendosen pas apelimit.
Gjykata tregtare vuri në dukje se Trump mban një fuqi më të kufizuar për të vendosur tarifa për të adresuar deficitet tregtare sipas një statuti tjetër, Aktit të Tregtisë të vitit 1974. Por ky ligj i kufizon tarifat në 15% dhe vetëm për 150 ditë me vendet me të cilat Shtetet e Bashkuara kanë deficite të mëdha tregtare.
Për momentin, vendimi i gjykatës tregtare “shkatërron arsyetimin e administratës Trump për përdorimin e kompetencave federale të emergjencës për të vendosur tarifa, të cilat tejkalojnë autoritetin e kongresit dhe bien ndesh me çdo nocion të procesit të rregullt ligjor”, tha Eswar Prasad, profesor i politikave tregtare në Universitetin Cornell. “Vendimi e bën të qartë se tarifat e gjera të vendosura në mënyrë të njëanshme nga Trump përfaqësojnë një tejkalim të pushtetit ekzekutiv.” AP