
Rama në Gjermani, pjesë e ceremonisë për dhënien e çmimit “Karli i Madh” ndaj presidentes së KE
Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar këtë të enjte (29 maj) drejt Ahenit të Gjermanisë, ku do të marrë pjesë në Forumin Europian të Çmimit “Karli i Madh”.
Kreu i qeverisë do të jetë i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimit prestigjioz të këtij viti, “Karli i Madh”, për presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Udhëheqësja 66-vjeçare gjermane u vlerësua nga juria si “zëri i fortë i Evropës në botë” dhe një “figurë e jashtëzakonshme e një Evrope të bashkuar, udhëheqja vizionare, e guximshme dhe dinamike e së cilës po e udhëheq Bashkimin përmes kohërave të ndryshimeve të thella”.
Von der Leyen, e cila filloi mandatin e saj si presidente e Komisionit Evropian në vitin 2019 dhe u rizgjodh për një mandat të dytë në vitin 2024 nga Parlamenti Evropian, i bashkohet radhëve të laureatëve të mëparshëm si Winston Churchill, Konrad Adenauer, Paul-Henri Spaak dhe, së fundmi, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
Çmimi “Karli i Madh”, i cili jepet çdo vit në qytetin gjerman të Ahenit, nderon individë që kanë dhënë kontribute të rëndësishme për unitetin evropian.
Kryeministri Rama takohet me Elmar Brok
Gjatë vizitës së tij në Gjermani, Kryeministri Rama është takuar me ish-kryetarin e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, Elmar Brok.
Ndërsa ka publikuar në rrjetin social Facebook një foto të realizuar me Brok, Rama ndau edhe bisedën e zhvilluar mes tyre.
“Elmar Brok: Edi, urime! Eh, erdha përsëri në Tiranë të të vrisja, po ti sa herë unë vij të të vras ngjitesh më lart!
Unë: Elmar, vetëm një gjë s’kam për të ta falur kurrë! Vjen në Tiranë dhe s’pi një kafe me mua, ndërkohë që unë të jam borxhli, sepse siç thoshte Niçja, “Çfarë s’të vret të bën më të fortë”!
Plas e qeshura dhe përqafohemi si miq të vjetër”, shkruan Rama. /rtsh/


