179-vjetori i lindjes së Naim Frashërit

179-vjetori i lindjes së Naim Frashërit

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot një nga figurat më të ndritura të kombit shqiptar, Naim Frashërin – poet, mendimtar, iluminist dhe veprimtar i palodhur i arsimit dhe kulturës kombëtare.

Ai është një nga shtyllat e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, që me penën dhe shpirtin e tij i dha frymë identitetit tonë kombëtar.

Ai lindi më 25 maj 1846 në Frashër të Dangëllisë së Përmetit.

Naimi filloi mësimet në vendlindje, pranë teqesë bektashiane, e më vonë vazhdoi shkollimin në gjimnazin “Zosimea”. U angazhua në mënyrë aktive në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe në përpjekjet për themelimin e shkollave shqipe dhe botimin e teksteve në gjuhën amtare.

Nga viti 1882 jetoi në Stamboll, ku me veprat dhe përkushtimin e tij u bë zëri më i fuqishëm i Rilindjes. Për më pak se 20 vjet botoi një krijimtari të gjerë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera, poema, përmbledhje lirikash, prozë artistike, si dhe vjersha e tekste për shkollat. Veprat e tij më të shquara janë “Bagëti e Bujqësi” (1886), përmbledhja me lirika atdhetare e filozofike “Luletë e verësë” (1890), poema epike “Istori e Skënderbeut”.

Naim Frashëri u nda nga jeta më 20 tetor 1900 në Stamboll. Në vitin 1937, eshtrat e tij u sollën në atdhe dhe prehen në Memorialin e Rilindësve në Tiranë. /atsh/

Share This