Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, uron FC Prishtinën: Ky është një rikthim i lavdishëm i këtij trofeu në kryeqytet

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, uron FC Prishtinën: Ky është një rikthim i lavdishëm i këtij trofeu në kryeqytet

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka uruar klubin FC Prishtina për fitoren në finalen e Kupës së Kosovës, ku kryeqytetasit mposhtën FC Llapin me rezultat 1:0, të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”, shkruan Rekordi.net.

Me këtë fitore, FC Prishtina e siguroi trofeun e nëntë të Kupës së Kosovës dhe njëherësh kualifikimin në garat e Europa League.

Në urimin e tij, presidenti Ademi vlerësoi këtë sukses si përmbushje të objektivit madhor të edicionit për klubin nga kryeqyteti.

“Sot përmbushët me sukses objektivin madhor të këtij edicioni – kurorëzimin me Kupën e Kosovës, trofe që njëherësh ju garanton pjesëmarrjen në garat evropiane,” u shpreh Ademi.

Ai vlerësoi lart paraqitjen e skuadrës në finalen ndaj Llapit, duke e cilësuar si dëshmi e profesionalizmit dhe karakterit të FC Prishtinës.

“Ky është një rikthim i lavdishëm i këtij trofeu në kryeqytet, pas dy vitesh nga suksesi i fundit në vitin 2023. Me një paraqitje të shkëlqyeshme, arritët të fitoni ndaj një kundërshtari të fortë si FC Llapi, duke i dhënë krenari tifozëve tuaj dhe gjithë kryeqytetit,” shtoi ai.

Presidenti Ademi shprehu urimet e tij të përzemërta për futbollistët, stafin teknik, drejtuesit e klubit, tifozët ‘Plisat’ dhe gjithë qytetarët e Prishtinës.

Në fund, ai shprehu mirënjohje edhe për skuadrën e FC Llapit për paraqitjen dinjitoze dhe kontributin në një finale spektakolare.

“Urime FC Prishtina dhe suksese në Evropë!” përfundoi Ademi. /Rekordi.net/

Share This