
Ranieri pas fitores ndaj Milanit: Skuadra nuk u shpërbë kurrë
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, duke folur për ‘DAZN”, ka thënë se është shumë i lumtur me fitoren dhe paraqitjen e të besuarve të tij ndaj Milanit.
‘Romakët’ të dielën mbrëma mundën Milanin, me rezultat 3-1, ndeshje kjo e luajtur në kuadër të javës së 37-të në Serie A.
“Jam ende nën efektin e adrenalinës, ndoshta këto imazhe më vonë do të më prekin edhe më shumë”, tha Ranieri pas ndeshjes.
“Të vlerësohesh nga njerëzit e tu është gjithmonë e mrekullueshme. Ne e nisëm në një mënyrë të vështirë, por skuadra nuk u shpërbë kurrë. Ata u bashkuan, punuan si një grup i bashkuar, si një skuadër e vërtetë”.
Ranieri nuk harroi të falënderojë lojtarët për përkushtimin dhe karakterin që treguan gjatë ndeshjes.
“I falënderoj lojtarët e mi, sepse nuk është e lehtë të përballesh me momente kur duket sikur asgjë nuk po shkon mirë. Jam i lumtur për presidentin, për tifozët dhe për të gjithë”, ka theksuar tekniku italian.
Roma pas fitores ndaj Milanit është në vendin e pestë me 66 pikë dhe në xhiron e fundit do të vendoset nëse ‘romakët’ do të sigurojnë një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve.


