
Macron: Investoni në Shqipëri, në dy vite pjesë e BE
Presidenti francez Emmanuel Macron, gjatë fjalës së tij në Forumin Ndërkombëtar FII (Future Investment Initiative), vlerësoi Shqipërinë si një vend stabël dhe të besueshëm, duke u bërë thirrje investitorëve që të mos e neglizhojnë potencialin e saj në rajon.
Macron theksoi se Shqipëria ka dhënë rezultate konkrete dhe se, sipas tij, në dy vitet e ardhshme do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.
“Është mirë t’ju kesh në Evropë, ky është një vend stabël dhe i besueshëm, mos i nënvlerësoni fuqitë e cilësive të tilla. Jam shumë i lumtur që jeni këtu sepse këtu në Shqipëri, qartësisht keni pikën hyrëse në këtë rajon të Ballkanit, një pikë kyçe në Mesdhe dhe Evropë. Ndaj ju inkurajoj të investoni në Shqipëri sepse keni një udhëheqje të fortë – dhe nuk e them këtë vetëm sepse është miku im – por sepse ka rezultate. Në dy vitet që vijnë, duke qenë se ka një mandat të qartë, do të jetë pjesë e BE-së,” tha Macron, raporton RTSH.
Më pas, presidenti francez foli më gjerësisht për sfidat dhe prioritetet e kontinentit europian, duke nënvizuar nevojën për një qasje të re strategjike dhe për investime të synuara në sektorë kyç si siguria, teknologjia e gjelbër dhe inteligjenca.
“Në Evropë është një moment që ka pasiguri dhe për këtë duhet të kemi strategji të qartë. Ideja ime për Evropën është që duhet të përfitojmë nga mundësia për të përshpejtuar dhe pasur një strategji konkurrueshmërie duke vendosur investimet si strategji kryesore. Duhet të harmonizojmë rregulloret tona. Janë hedhur disa hapa. Von Der Leyen, kancelari Merz kemi nxjerrë një deklaratë për të thjeshtuar rregulloret. Pjesa tjetër është thellimi i tregut të përbashkët. Pika jonë e fortë është që ka miliona pjesëmarrës dhe nuk trajtohet ashtu nga sipërmarrësit. Tregu i përbashkët po përfiton nga taksat që i vendosim vetes. Ne duhet ta trajtojmë tregun e përbashkët në telekom, energji dhe financë, tri sektorë kritikë. Pasi duhet të kemi më shumë kapacitete që të investojmë. Po ashtu duhet të kemi edhe përparësi të ndryshme. Përveç faktit që nënshfrytëzojmë tregun e përbashkët, ne përdorim më pak burimet e tjera,” u shpreh ai.
Nga ana e tij, kryeministri shqiptar Edi Rama, në këtë forum që bashkon liderë botërorë dhe drejtues të korporatave të mëdha për diskutimin e së ardhmes së ekonomisë globale, theksoi se Evropa ka nevojë për një epokë të re dhe për një mënyrë të re të të menduarit.
“Jemi këtu që të përcjellim mesazhin që ky vend do më shumë dhe që ky vend ka nevojë më shumë njerëz që të na besojnë. E mira e Shqipërisë është që ne jemi miq të mirë me shumë njerëz. Ne duam që miqtë e të ftuarit jemi partnerë të SHBA e BE, por edhe të bekuar se jemi në partneritete të bekuara me Emiratet, Arabinë Saudite. Dua të ndaj me bindjen që, kur dëgjova presidentin e SHBA të fliste për një epokë të artë, ndjesia ime ishte që në fakt një epokë e artë mund të çelet edhe për Evropën. Gjithçka do të varet nga sa shpejt do të mendojmë jashtë kornizës dhe të veprojmë, e të kuptojmë që në këtë botë çdo kush tjetër po bën të pamendueshmen. Evropa ka vazhduar të mendojë njësoj siç mendonte përpara këtij momenti që ka ndryshuar jetën tonë. Nuk është e vështirë të kuptosh se si mund të duket kjo gjë e pamendueshme. Përvoja dhe kultura e ndryshimit duhet të ndryshojë, dhe ne mund të çelim një epokë të pabesueshme për Evropën,” u shpreh Rama.
Ai gjithashtu njoftoi çeljen e degës së re të Kolegjit të Evropës në Tiranë, që do të presë studentë nga e gjithë Evropa. “Isha shumë i lumtur kur mendova që ky forum do të vinte këtu edhe për një arsye tjetër. Pasi bëra disa kërkime për të ditur më shumë për forumin, ajo çfarë kuptova është që ky është etaloni i përpjekjes për të menduar ndryshe që mund të ketë ndjesinë të kthehet në Shqipëri për të investuar. Kemi studentë nga e gjithë Evropa dhe ata që vijnë si studentë, duan të rrinë në Tiranë, nuk duan të shkojnë më në Francë, Emmanuel. Dhe shpresoj fort që opozita nuk do t’ju fajësojë, se në fakt ju jeni shkaku që ata duan të rrinë në Tiranë, duke qenë se keni ardhur kaq shpesh në Tiranë,” tha me humor Rama.
Në forum ishte i pranishëm edhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.