
Von der Leyen publikon foto nga Tirana përkrah Osmanit, Ramës e Vuçiqit
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ndodhet në Tiranë, ku nesër do të marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian.
Von der Leyen ka ndarë në platformën X një foto të përbashkët me disa prej liderëve që marrin pjesë në këtë samit, ku ndodhen presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuҫiq dhe liderë të tjerë.
Von der Leyen shkruan se fakti që takimi i KPE-së mbahet për herë të parë në Ballkanin Perëndimor është simbol i fuqishëm.
“Në Tiranë për takimin e Komunitetit Politik Evropian. Është i pari në Ballkanin Perëndimor. Sa simbol i fuqishëm! Familja jonë evropiane e vlerave shtrihet shumë përtej kufirit të Bashkimit Evropian. Ne ndajmë një kontinent. Dhe një të ardhme të përbashkët”, shkruan ajo, raporton rtk.
Në prag të samitit të Komunitetit Politik Evropian, që pritet të mbahet nesër, sonte në Tiranë është mbajtur një darkë joformale mes liderëve të BE-së dhe krerëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor.