Ra Barcelona, Interi në finalen e madhe të Champions-it

Ra Barcelona, Interi në finalen e madhe të Champions-it

Inter është finalisti i parë i këtij edicioni të Champions League, pas një përballje dramatike ndaj Barcelonës, që është mbyllur me rezultat 4-3 në favor të zikaltërve dhe 7-6 me rezultat të përgjithshëm.

Ndeshja e kthimit në Milano ka ofruar një tjetër spektakël futbolli, duke përfunduar në kohën e rregullt me rezultat 3-3, ashtu si edhe ndeshja e parë në “Camp Nou”, dhe duke çuar ndeshjen në vazhdime. Ka qenë Frattesi, ai që ka dalur hero i Inter, me golin vendimtar në minutën 99’, duke vulosur rezultatin 4-3 dhe kualifikimin e skuadrës italiane në finale.

Inter e ka nisur ndeshjen më mirë, duke marrë epërsinë përmes Lautaro Martinez në minutën e 21-të, ndërsa Hakan Calhanoglu e ka dyfishuar avantazhin nga penalltia pak para përfundimit të pjesës së parë.

Në pjesën e dytë, Barcelona ka reaguar me tre gola. Fillimisht Eric Garcia e ka ngushtuar diferencën në minutën e 54-t, ndërsa Dani Olmo e ka barazuar rezultatin në minutën e 60-të.

Kur gjithçka po shkonte drejt një triumfi katalanas pas golit të Raphinha në minutën e 88-të për rezultatin 2-3, Francesco Acerbi ka realizuar në minutën 90+3’, duke e çuar sfidën në kohë shtesë.

Në minutën e nëntë të vazhdimeve, Frattesi e ka gjetur rrjetën për Inter, duke siguruar një tjetër finale për klubin nga Milano.

Interi tani pret të mësojë kundërshtarin e finales, që do të vendoset nga përballja e së mërkurës ndërmjet PSG-së dhe Arsenal.

Share This