
Murati: Propozimi ynë mbetet Albulena Haxhiu, shpresoj të hapet rruga
Deputeti i zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, Hekuran Murati ka konfirmuar se edhe sot ky subjekt politik do ta propozojë kandidaten e njëjtë për kryetare të Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se si parti fituese e zgjedhjeve i takon ta propozojnë kandidaten për kryetare dhe ajo do të jetë edhe kësaj radhe Albulena Haxhiu. Ai u ka bërë thirrje për votimin e saj edhe deputetëve të tjerë për ta zhbllokuar procesin. “Siç e kam thënë edhe herën e kaluar propozimi ynë, si parti fituese dhe e drejtë kushtetuese e jona, është Albulena Haxhiu. Ftoj edhe njëherë të gjitha partitë që me votën e tyre të marrin pjesë dhe të ndihmojnë në konstituimin e Kuvendit sepse kjo është detyrë e të gjithë deputeteve sipas Kushtetutës”, deklaroi Murati.
Ai ka shprehur shpresën që sot do të ketë një rezultat të kënaqshëm në Kuvend në mënyrë që të hapet rruga dhe të zhbllokohen institucionet, që sipas tij mandej të vazhdohet me procedurat tjera kushtetuese”.
“Ne në vazhdimësi kemi bërë ftesë dhe thirrje që të konsiderojnë votimin në mënyrë që të zhbllokohet procesi sepse nuk është vetëm pozita e kryetarit por edhe pozita e nënkryetarëve nga tri subjektet më të mëdha në kuvend dhe patjetër që edhe ata emra duhet të dakordohen dhe të ecet tutje”, tha Murati, raporton rtk.