
Të martën tentimi i tetë për konstituimin e Kuvendit
Një tentim tjetër do të jetë të martën brenda sallës plenare të Kuvendit drejt konstituimit të këtij institucioni që është më i larti ligjvënës në vend.
Deputetët të cilët arritën të betoheshin si ligjvënës së legjislaturës së nëntë do të kenë një tjetër tentim për të zgjedhur drejtuesin e këtij institucioni, që për të pestën herë dështoi zgjedhja të dielën.
Albulena Haxhiu, që për Vetëvendosjen mbetet emri i vetëm i propozuar nga ta, nuk ka arritur as të dielën të merrte votat e mjaftueshme si kryekuvendare, ngaqë si deri tash arriti t’i mblidhte vetëm 57 vota deputetësh, por të pamjaftueshme për të qenë në krye të këtij institucioni.
Derisa Vetëvendosje insiston në emrin e Haxhiut për kryeparlamentare, partitë opozitare thonë se zhbllokimi i situatës mund të bëhet vetëm nëse partia e cila e ka të drejtën e propozimit të emrit, Vetëvendosje si fituese e shumicës në zgjedhje të ndërrojë atë me emra që sipas tyre do të ishin të pranueshëm.
Të dielën e 27 marsin u bë një muaj nga certifikimi i zgjedhjeve nga KQZ-ja, proces që Kosova iu nënshtrua të dielën e 9 shkurtit.
Më 15 prill ishte seanca e parë konstituive e cila ishte ndërprerë meqë nuk u votua raporti i Komisionit për Verifikimin e Mandateve, situatë kjo që bëri që kryesuesi, Avni Dehari, i cili në karrigen e kryesuesit është si deputeti më i vjetër i kësaj legjislature, t’i drejtohej presidentes për hapat që duhej ndërmerreshin.
Po të njëjtën ditë, me 16 prill, presidentja e shtetit iu kishte përgjigjur Deharit, duke i thënë se fryma kushtetuese i obligon të mblidhen çdo 48 orë, dhe se Kushtetuta i obligon të jetësojnë dhe jo të bllokojnë themelimin dhe ushtrimin efektiv të funksioneve përkatëse. Kishte shprehur edhe gatishmëri që në rolin e saj si presidente, nëse paraqitej nevoja, t’i mblidhte në zyrë krerët e partive politike.
Kuvendi edhe zyrtarisht ka njoftuar se të martën nga ora 10:00 do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive, raporton rtk.