
Rama: Kandiq nuk heshti edhe kur bota zgjodhi të mbyllte sytë
Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka nderuar të dielën me çmimin “Çelësi i Qytetit” të Prishtinës, Natasha Kandiqin, aktivisten serbe për të drejtat e njeriut.
Rama me rastin e kësaj ceremonie tha se “Natasha Kandiq është një nga ato zëra të rrallë që nuk heshti, edhe kur bota zgjodhi të mbyllte sytë.
“Me guximin e saj të palëkundur, ajo i dha zë dhimbjes, i dha drejtësi kujtesës dhe nder viktimave pa dallim kombi apo gjuhe. Në kohët më të errëta, ajo zgjodhi të qëndrojë në anën e të vërtetës, duke rrezikuar gjithçka për një ideal më të madh: dinjitetin njerëzor”, ka thënë Rama, raporton rtk.
Ai thot se sot kishte nderin t’i dorëzojë “Çelësin e Qytetit” të Prishtinës, një shenjë mirënjohjeje për jetën që ia kushtoi drejtësisë, të vërtetës dhe pajtimit.
“Puna dhe përkushtimi i saj na kujtojnë se pa e vërteta nuk ka paqe të qëndrueshme, as në Kosovë, as në rajon. Në një ditë që për ne është shumë më tepër se një datë në kalendar, Prishtina i thotë: faleminderit!”, ka thënë Rama.
Natasha Kandiq është një nga figurat më të njohura në fushën e aktivizmit për drejtësi dhe të drejtat e njeriut në Ballkan.
Ajo është themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare (Humanitarian Law Center – HLC), një organizatë joqeveritare me seli në Beograd, e cila që nga viti 1992 ka mbledhur dëshmi dhe fakte mbi shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.