TURQI / Të paktën 151 të plagosur gjatë incidenteve të shkaktuara nga paniku i tërmetit

TURQI / Të paktën 151 të plagosur gjatë incidenteve të shkaktuara nga paniku i tërmetit

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6,2 ballë Rihter ka goditur Stambollin duke plagosur të paktën 151 persona në incidente të shkaktuara nga paniku, asnjë prej të cilëve nuk pësoi plagë të rrezikshme për jetën.

Sipas Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), epiqendra e tërmetit ishte në lagjen ”Silivri” të Stambollit.

Tërmeti goditi në orën 12:49 me orën lokale dhe u ndje fuqishëm në të gjithë Stambollin, ku banojnë mbi 15 milionë njerëz.

Ministri turk i Punëve të Brendshme, Ali Yerlikaya, njoftoi se tërmeti ndodhi në një thellësi prej afër 7,0 kilometrash dhe zgjati 13 sekonda.

Zyra e guvernatorit tha se 151 qytetarë u plagosën pasi nga paniku u hodhën nga lartësitë dhe se trajtimi i tyre po vijon në spitale dhe asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën.

Dy dridhje të tjera, të dyja me magnitudë 4,9 ballë, pasuan tërmetin kryesor, fillimisht në ora 13:02 dhe përsëri më vonë në ora 15:12 me orën lokale, me epiqendër në brigjet e Buyukçekmecesë në detin Marmara.

AFAD tha se pas vlerësimit të raportimeve të marra nga Qendra e Thirrjeve Emergjente 112, aktualisht nuk ka raportime për viktima apo shkatërrime.

Zyra e guvernatorit paralajmëroi qytetarët që të mos hyjnë në ndërtesat që janë dëmtuar ose që dyshohet se janë dëmtuar nga lëkundjet e tërmetit, të shmangin përdorimin e automjeteve nëse nuk është e nevojshme dhe të përmbahen nga përdorimi i rrjeteve celulare përveç rasteve emergjente.

Gjithashtu edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, njoftoi se “po monitorojmë nga afër zhvillimet”.

“Fatmirësisht, nuk duket se ka situatë shqetësuese për momentin”, tha Erdogan. /atsh/

Share This