Kusari-Lila: Zgjedhjet mbeten zgjidhja më e pranueshme

Kusari-Lila: Zgjedhjet mbeten zgjidhja më e pranueshme

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se zgjedhjet e parakohshme mbeten opsioni më i afërt dhe më i pranueshëm për zgjidhjen e ngërçit politik në vend.

Megjithatë, ajo shtoi se ekziston ende mundësia që Kuvendi i Kosovës të konstituohet brenda pak ditësh, nëse partitë politike tregojnë reflektim.

Në një deklarim për media pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit, Kusari-Lila – e cila garoi në listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit – tha se ekzistojnë marrëveshje politike me disa parti të komuniteteve joshumicë, të cilat mund të ndihmojnë në zhbllokimin e situatës institucionale.

“Me këto qasje të cilat, mënyrën si po tregohet, ose po barrikadohet nga partitë tjera parlamentare, me të vërtetë duhet të dakordohemi me një temë tjetër. T’i thërrasim të gjitha grupet politike, të konstituojmë Kuvendin dhe të dakordohemi që me 80 vota ta shpërndajmë Kuvendin dhe të shkojmë në zgjedhje tjera,” tha Kusari-Lila.

Sipas saj, në rrethanat aktuale dhe me deklarimet e partive opozitare, zgjedhjet janë alternativa më reale. Ajo përmendi edhe deklaratat e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili kishte përmendur edhe data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Kusari-Lila theksoi se Vetëvendosje dhe Alternativa nuk janë të interesuara për vazhdimin e bllokadës institucionale, dhe se nuk mbështesin skenarët që çojnë në vonesa të qëllimshme, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare njëkohësisht apo shtyrjen e situatës deri në zgjedhjen e presidentes.

“Nëse partitë politike reflektojnë, në dy ditët në vijim mund të kemi konstituimin e plotë të Kuvendit”, tha ajo.

Ajo gjithashtu kritikoi qasjen e disa partive opozitare në lidhje me përzgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke thënë: “Ata po na e përcaktojnë emrin e kryeparlamentarit, a t’ua përcaktojmë edhe ne emrat e nënkryetarëve?”.

Share This