
Besa Famgas me fitore e mbyll sezonin
Besa Famgas e ka përfunduar me fitore pjesën e rregullt të garave në Superligën e Kosovës në hendboll.
Të shtunën mbrëma, Besa fitoi në udhëtim ndaj Vushtrrisë me rezultat 38:18. Ndeshja i takoi xhiros së 28-të.
Amar Muqolli e Jon Vokshi i shënuan nga nëntë gola për Besa Famgasin. Gjashtë i realizoi Olsi Mulaj e pesë Elion Vokshi. Për Vushtrrinë nga pesë gola i shënuan Lulzim Sadiku e Amir Fazliu. Nga tri i shtuan Oltion Shabani e Muhamed Halili.
Këto dy skuadra do të përballen edhe në gjysmëfinale të Kupës.
Besa Famgas është e dyta në tabelë me 44 pikë, një më shumë se Kastrioti i vendit të tretë.
Kastrioti të dielën luan ndaj Trepçës në ndeshjen e fundit të stinorit të rregullt. Vushtrria përfundon e pesta me 16 pikë.