
Elita e basketbollit rikthehet me gjysmëfinalet e zjarrta të ‘Play-off-it’
Pas ndeshjeve emocionuese dhe dramatike të çerekfinaleve, është koha për gjysmëfinalet e “Play-off”-it të Superligës së Kosovës në basketboll.
Gjysmëfinale të zjarrta që premtojnë spektakël të basketboll në parket dhe tribuna.
Katërshja e madhe e basketbollit të Kosovës, Bashkimi, Trepça, Sigal Prishtina dhe Peja, duan të kualifikohen në finale, por edhe të fitojnë trofeun më të rëndësishëm në basketbollin e Kosovës.
Në gjysmëfinalen e parë ndeshen kampionia aktuale, Trepça me skuadrën më të trofeshme në vend, Sigal Prishtinën.
Mitrovicasit përfunduan garat e rregullta në pozitën e dytë, me 19 fitore e nëntë humbje, derisa prishtinasit në pozitën e tretë me 17 fitore e 11 humbje, kurse në çerekfinale eliminuan Vëllaznimin pas tri ndeshjeve.
Në katër sfidat e zhvilluara në elitë këtë edicion, bardhekaltrit kanë tri fitore ndaj mitrovicasve që kanë një fitore ndaj prishtinasve.
Këto dy skuadra u përballën edhe në gjysmëfinale të Kupës, ku ‘Xehetarët’ ishin më të mirë nga dy takimet për të kualifikuar në finale, e ku më pas fituan këtë trofe, ashtu si e kanë fituar edhe Superkupën.
Bashkimi-Peja është një tjetër përballje e zjarrtë e gjysmëfinaleve të “Play-off”-it.
Prizrenasit përfunduan në pozitën e parë me 20 fitore e tetë humbje, ndërsa pejanët në vendin e pestë me 14 fitore e 14 humbje, kurse në çerekfinale eliminuan Golden Eagle Yllin pas tri ndeshjeve.
Portokallezinjtë duan titullin e dytë në histori, pasi të parin dhe të vetmin e fituan më 2018, kurse Verdhezinjtë të shtatin në histori, ndërsa herën e fundit e fituan më 2023.
Në katër duelet e zhvilluara këtë edicion në elitë, prizrenasit kanë tri fitore ndaj pejanëve që kanë një fitore.
Orari
E shtunë
19:00 Trepça – Sigal Prishtina
E diel
19:00 Bashkimi – Peja