
Nesër seanca, Kurti nuk përgjigjet nëse do të zgjidhet kryeparlamentari
Derisa kanë mbetur edhe 24 orë nga tentativa e tretë e deputetëve të certifikuar nga KQZ-ja, por ende të pabetuar si ligjvënës të legjislaturës së nëntë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk i është përgjigjur interesimit të gazetarëve nëse do të votohet nesër kryeparlamentari i ri.
“Ajo është nesër apo jo”, ka qenë përgjigjja e shkurtër e tij, derisa nuk u përgjigj në pyetjen nëse i kanë numrat e mjaftueshëm.
Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet as në tentimin e dytë të enjten, pasi kryesuesi Avni Dehari tha se nuk pati konsensus mes partive në takimin që e thirri ai, ftesë të cilën PDK, LDK e AAK e quajtën jashtë mandatit të tij si kryesues.
Të tria këto parti janë betonuar në qëndrimet e tyre se nuk mund të votohet raporti i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve pa dhënë dorëheqje kryeministri e ministrat nga postet ekzekutive meqë sipas tyre nuk mund të kesh pozitë ekzekutive e njëkohësisht të betohesh si deputet.
Por, nga Vetëvendosje thanë se ky subjekt ka qenë në gjendje të vazhdojë me procedura, por që duhet korrigjuar gabimet.
“Ne si parti politike duam ta korrigjojmë vendimin e gabuar të Kuvendit të Kosovës. Kemi plot vullnet, por duhet të shohim se cila është mënyra për korrigjim, duke pasur parasysh që me asnjë ligj të mundshëm nuk është e paraparë një situatë e tillë. Deputetët që e kanë hartuar Rregulloren e Punës së Kuvendit nuk e kanë paraparë një moment të tillë”, ka thënë Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje. /rtk/