
Nesër protestohet sërish kundër shtrenjtimit të rrymës, “Asnji cent ma shumë” paralajmëron përshkallëzim
Përfaqeuses të iniciativës “Asnji cent ma shumë” që po kundërshton rritjen e çmimit të rrymës thanë se nesër do të mbahet protesta e radhës.
Protesta u paralajmërua se do të fillojë nga ora 12:00, në të njëjtën kohë kur edhe do të mbahet seanca e Kuvendit.
“Nesër do të jetë protesta e radhës që do të fillojë nga ora 12:00. Zëri i qytetarëve është mirë të mos ndalet dhe është e rëndësishme që ta vazhdojmë aktivitetin bashkë. Prej këtij sheshi i bëjmë thirrje deputetëve që ta shtyjnë përpara këtë proces dhe në momentin e parë që konstiuohet Kuvendi të thirret menjëherë Zyra e Rregullatorit për Energji në Komisionin për Energji dhe sa më parë ky vendim të pezullohet”, tha një përfaqësues i kësaj iniciative.
Ai tha se nëse edhe pas ditës së nesërme nuk ka reflektim “do të jemi të detyruar që protestat t’i masivizojmë dhe ky masivizim nënkupton edhe përshkallëzim”.
“Nëse do të ketë nevojë ne do të bllokojmë edhe rrugë edhe institucione në mënyrë që zëri të dëgjohet edhe më tutje. Qytetarët më shumë se kurrë e kanë të rëndësishme t’i përgjigjen protestës”.
Po ashtu, ai tha se janë duke u marrë edhe me pjesën e padisë ndaj ZRRE-së.
Zyra e Rregullatorit për Energji së fundi aprovoi tarifat e reja që reflektojnë rritjen lineare të tarifave të rregulluara prej 16.1 % për të gjitha kategoritë e konsumatorëve në kuadër të shërbimit universal.
Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 maj.
Sipas tarifave të reja të miratuar nga ZRRE, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë brenda një muaji do të paguajnë 9.05 centë për kilovat nga 7.79 centë sa paguajnë tani.
Ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, kilovati do të kushtojë 15.43 centë nga 13.29 sa është aktualisht./Express/