
Paralajmërimi i OBT: Tarifat e SHBA, pasoja negative për tregtinë globale
Tregtia globale pritet të bjerë ndjeshëm këtë vit në vazhdën tarifave globale të Presidentit amerikan Donald Trump, duke nxitur pasoja të rënda negative për botën. Kështu paralajmëroi të mërkurën Organizata Botërore e Tregtisë.
Që nga kthimi në detyrë, Trump ka vendosur një tarifë prej 10 për qind për importet e mallrave nga e gjithë bota së bashku me 25 për qind taksa për çelikun, aluminin dhe automjetet.
Ndërsa Trump u tërhoq ndaj tarifave të larta për dhjetëra vende, ai ka përshkallëzuar një luftë tregtare me Kinën, duke vendosur taksa 145 për qind për mallrat kineze ndërsa Pekini u hakmor me një tarifë prej 125 për qind për produktet amerikane, tensione për të cilat shefja e OBT-së tha se është shume e shqetësuar.
“Perspektiva për tregtinë globale është përkeqësuar ndjeshëm për shkak të rritjes së tarifave dhe pasigurisë së politikës tregtare”– paralajmëroi ajo.
“Jam thellësisht e shqetësuar nga pasiguria që rrethon politikën tregtare, duke përfshirë edhe përplasjen SHBA- Kinë”, tha në një deklaratë shefja e OBT-së.
Institucioni me bazë në Gjenevë tha se më parë kishte pritur që tregtia e mallrave të zgjerohej me 2.7% këtë vit, por tani si rezultat i politikës tregtare të Uashingtonit, OBT-ja parashikon një rënie me 0.2%.