
Kallas: Dialogu Prishtinë – Beograd duhet të vazhdojë
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka njoftuar se do ta vizitojë Kosovën dhe Serbinë në maj.
Kallas në konferencë për media në Luksemburg ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është e rëndësisë së madhe.
“Dialogu Prishtinë – Beograd duhet të vazhdojë. Ne kemi emëruar një emisar të ri për dialogun. Më vonë në maj do t’i vizitojë shtetet”, ka thënë ndër të tjera Kallas.
Ajo ka thënë se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është thelbësor dhe se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është shumë i rëndësishëm.
Ka thënë se Shqipëria e Mali i Zi po bëjnë përparime të mira në reforma, ndërsa ka tërhequr vërejtjen se çdo tentim për ndarje të Bosnjë-Hercegovinës do të jetë i papranueshëm.
Ndërkohë Kallas ka paralajmëruar kundër pjesëmarrjes në paradën e 9 majit në Moskë.
Sa i përket rrezikut se mund të shpërthejë ndonjë luftë në Ballkanin Perëndimor, Kallas ka thënë se duhet ulur tensionet.
“Mënyra më e mirë për t’i ulur tensionet është të procesojmë që t’i kemi të gjitha shtetet në BE. Atëherë do të ketë më pak tensione. BE-ja është projekt i paqes dhe punon në qetësim të tensioneve mes atyre shteteve”, ka thënë Kallas, ndërsa shtoi se në takime me ministrat e jashtëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor janë dhënë mesazhe të qarta.