
Lushtaku thotë PDK nuk do të marrë pjesë në votimin e nesërm
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, pas regjistrimit si deputet i ardhshëm në Kuvend, tha se PDK nuk do të marrë pjesë në votimin për Kuvendin, përderisa nuk ka një zgjidhje të qëndrueshme për vendin, duke theksuar mbështetjen për kandidaturën e Bedri Hamzës si kryeministër.
“Sigurisht që qëndrimet e mia janë edhe ato të PDK-së. Ne nuk do të marrim pjesë në votim derisa nuk kemi një zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën. Edhe sigurisht që zgjidhja e qëndrueshme për Kosovën është zgjedhja e kryeministrit Bedri Hamza si udhëheqës i qeverisë së Kosovës. Besoj se me të do të krijohet edhe stabiliteti dhe qëndrueshmëria në vend,” tha Lushtaku, raporton rtk.
Ai shtoi se janë bërë thirrje të vazhdueshme ndaj partive të tjera politike për të qëndruar në përputhje me premtimet publike sa i përket refuzimit të edhe një mandati të tretë për Kurtin.
“Sigurisht, ne i bëjmë thirrje edhe individuale edhe publike, ka takime të ndryshme me partitë politike. Që t’i bëjmë thirrje që të ketë një qëndrueshmëri në premtimet që kanë bërë, sa i përket moszgjedhjes së kryeministrit Kurti apo mosdhënies së mundësisë për një mandatin të tretë për Kurtin. Sigurisht, në këtë pjesë do të shihet nesër se si do të veprojnë. Nuk ka asnjë dakordim konkret, por besoj se mbetet në qëndrueshmërinë dhe premtimet publike që kanë bërë. Besoj që e ka bërë të qartë PDK se ne kemi pozitën që na ka besuar qytetari i vendit, dhe në mundësinë e dytë për formimin e qeverisë, besoj se ne qëndrojmë në premtimet tona,” u shpreh Lushtaku.