Ukrainë, 21 të vdekur nga bombardimet ruse

Ukrainë, 21 të vdekur nga bombardimet ruse

Të paktën 21 persona u vranë dhe 83 të tjerë u plagosën nga një sulm me raketa balistike ruse në zemër të qytetit verior të Ukrainës, Sumy, të dielën në mëngjes, njoftojnë autoritetet e vendit.

Dhjetëra ukrainas kanë mbetur të vdekur nga një sulm me raketa balistike në qendër të qytetit verilindor të Ukrainës, Sumy, të cilin presidenti Volodymyr Zelenskiy e ka dënuar si një nga sulmet më vdekjeprurëse në Ukrainë këtë vit – dhe ka bërë thirrje për një reagim të ashpër ndërkombëtar kundër Moskës.

“Vetëm të poshtrit mund të veprojnë kështu, duke marrë jetën e njerëzve të zakonshëm,” ka shkruar ai në rrjetet sociale, krahas një video rrëqethëse që tregonte kufomat në tokë, një autobus të shkatërruar dhe makina të djegura në mes të një rruge të qytetit.

“Dhe kjo është në një ditë kur njerëzit shkojnë në kishë” ka shtuar Zelenskiy.

Ministri i Brendshëm, Klymenko tha se viktimat ishin në rrugë, në automjete, transport publik dhe në ndërtesa kur ndodhi sulmi.

Sipas tij, sulmi kishte për qëllim shkatërrimi e civilëve në një festë të rëndësishme të kishës. Andriy Kovalenko, një zyrtar i sigurisë që drejton Qendrën e Ukrainës Kundër Dezinformimit, vuri në dukje se sulmi erdhi pas një vizite në Moskë nga i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff.

“Rusia po ndërton gjithë këtë të ashtuquajtur diplomaci… rreth sulmeve ndaj civilëve”, shkroi ai në Telegram.

Witkoff, i dërguari i posaçëm i presidentit të SHBA-së për Ukrainën, zhvilloi bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, të premten në Shën Petersburg mbi kërkimin e një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë, ndërsa Trump i tha Rusisë që të “lëvizte”.

Pas sulmit të së dielës, Zelenskiy u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Evropës që të jenë të ashpër ndaj Rusisë në përgjigje të asaj që ai e përshkroi si terrorizëm.

“Rusia dëshiron pikërisht këtë lloj terrori dhe po e zvarrit këtë luftë. Pa presion mbi agresorin, paqja është e pamundur. Bisedimet nuk kanë ndalur kurrë raketat balistike dhe bombat ajrore,” shkroi ai.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha të shtunën se Ukraina kishte kryer pesë sulme në infrastrukturën energjetike ruse një ditë më parë, në atë që e quajti shkelje të një moratoriumi të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara për sulme të tilla.

Ukraina dhe Rusia ranë dakord të ndalojnë sulmet në objektet energjetike të njëra-tjetrës muajin e kaluar, por të dyja palët kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për thyerjen e moratoriumit. /rtk/

Share This