Zelensky: Ukrainës i duhen 10 sisteme të tjera ‘Patriot’

Zelensky: Ukrainës i duhen 10 sisteme të tjera ‘Patriot’

Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukrainës i duhen edhe 10 sisteme të tjera në fushën e mbrojtjes ajrore për të mbrojtur jetën e civilëve.

“Ju e dini që Ukraina ka mungesë të sistemeve të mbrojtjes ajrore,” tha Zelensky përmes një deklarate në video nga Kryvyi Rig, qyteti i tij i lindjes, ku një sulm rus javën e kaluar vrau 19 njerëz, përfshirë nëntë fëmijë.

“Ju e dini se sistemet Patriot mund të mbrojnë në mënyrë efektive kundër kërcënimeve balistike. Ju kërkoj që të përqendroheni para së gjithash në mbrojtjen ajrore për Ukrainën. Ne me të vërtetë kemi nevojë për 10 sisteme Patriot”, u shpreh Zelensky.

Ndërkaq një ditë më parë, ambasadorja e Bashkimit Evropian në Ukrainë, Katerina Maternova ka deklaruar se vendet anëtare të BE-së do të përdorin 1 miliard euro, të krijuara nga asetet e ngrira ruse për të blerë armë, municione dhe sisteme të mbrojtjes ajrore për Ukrainën nën modelin danez.

Modeli danez ka inkurajuar vendet e tjera, të tilla si Norvegjia dhe Suedia, të miratojnë strategji të ngjashme.

Këtë javë, Komisioni Evropian do të marrë 2.1 miliardë euro të ardhura të paparashikuara nga pasuritë e ngrira të bankës qendrore ruse të mbajtur në depozitat qendrore.

“Shumica e fondeve do të përdoren për blerjen e armëve, municioneve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore për Ukrainën në formën e granteve”, ka theksuar ambasadorja.

Siç shpjegon ambasadorja Maternova, një pjesë e fondeve do t’u ndahen vendeve anëtare të BE-së për prokurimin e municioneve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore.

Në total, nga 2.1 miliardë euro, 1 miliard do të shkojnë në industrinë e mbrojtjes së Ukrainës nën modelin danez.

Maternova kujtoi se në gusht të vitit të kaluar, BE kishte investuar tashmë 400 milion euro në industrinë e mbrojtjes së Ukrainës.

“Këtë herë, BE do të sigurojë 1 miliard euro grante për industrinë e mbrojtjes. Përgatitjet e kontratës janë duke u zhvilluar, ” shtoi ajo.

Më herët, ministri i Mbrojtjes së Ukrainës Rustem Umerov tha se Kievi ishte duke eksploruar mundësinë e mbajtjes së takimit të ardhshëm të kombeve udhëheqëse në formatin Ramstein në Ukrainë, duke përfshirë përfaqësues nga forcat ukrainase dhe industria e mbrojtjes. /rtsh/

Share This