A mund ta bindë Trump Iranin të heqë dorë nga programi i tij bërthamor?

A mund ta bindë Trump Iranin të heqë dorë nga programi i tij bërthamor?

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i surprizoi të gjithë kur njoftoi në Zyrën Ovale gjatë një takimi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu – se bisedimet e drejtpërdrejta të nivelit të lartë për programin bërthamor të Iranit – ishin caktuar më 12 prill, në Oman.

Nuk është e qartë nëse Irani donte ta mbante të fshehtë këtë, por ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi e ndjeu të nevojshme të thoshte se bisedimet do të ishin indirekte, e kundërta e asaj që kishte thënë Trump.

Pavarësisht formatit, të dyja palët e kanë paraqitur këtë si takim eksplorues për të kuptuar nëse bisedimet mund të zhvilloheshin.

Por, brenda titujve fshihet një debat më i thellë strategjik: Çfarë duan të bëjnë saktësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës me programin bërthamor të Iranit – ta mbikëqyrin rreptë apo ta shkatërrojnë plotësisht?

Trump ka qenë i qartë për qëllimin e Uashingtonit: Irani nuk duhet të lejohet kurrë të ketë armë bërthamore. Ajo që ai nuk e ka thënë në mënyrë të prerë është nëse kjo nënkupton vendosjen e kufizimeve për programin bërthamor të Iranit, apo shkatërrimin e tij tërësisht.

Në vend të tij kanë folur anëtarët e lartë të administratës së tij. Steve Witkoff, i dërguari i Trumpit për Lindjen e Mesme, i cili do ta udhëheqë delegacionin amerikan në bisedimet në Oman, tha muajin e kaluar se Uashingtoni dëshironte të krijonte një program verifikues, në mënyrë që askush të mos shqetësohet për armët e mundshme që dalin nga programi bërthamor i Iranit.

Kjo nënkuptonte se SHBA-ja kërkon ta kufizojnë pasurimin e uraniumit dhe të vendosin një mekanizëm mbikëqyrës – për të garantuar se programi bërthamor i Iranit mbetet paqësor – për të cilën Irani pretendon se ka qenë gjithmonë qëllimi i tij.

Megjithatë, këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, dha një mesazh ndryshe pak ditë më vonë, duke theksuar se administrata kërkonte “çmontim të plotë”.

“Irani duhet të heqë dorë nga programi i tij në një mënyrë që e sheh e gjithë bota”, tha ai.

Cili duhet të jetë qëllimi i SHBA-së?

Mbështetësit e shkatërrimit të plotë të programit bërthamor të Iranit thonë se kjo është mënyra e vetme e sigurt për të garantuar se Irani nuk do të zotërojë kurrë armë bërthamore.

Behnam Taleblu, drejtor i programit të Iranit në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive (FDD), me seli në Uashington tha se Trump nuk duhej të merrej me kontrollin e armëve.

“Në vend kufizimit, Irani duhet të detyrohet ta shkatërrojë tërësisht programin bërthamor”, tha Taleblu për Radion Evropa e Lirë (REL).

Ai theksoi se shkatërrimi i tij ishte veprim “me rrezik të lartë” – dhe se ishte i arritshëm dhe i domosdoshëm, përmes trysnisë – si rritja e sanksioneve dhe zhvillimi i manovrave të përbashkëta ushtarake me Izraelin.

Më 9 prill, Departamenti Amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj pesë entiteteve dhe një individi në Iran – për mbështetjen e tyre për programin bërthamor, përfshirë edhe Organizatën për Energji Atomike të Iranit (AEOI).

“Dhe, nëse bisedimet janë të pafrytshme, Trump duhet të jetë i gatshëm të largohet nga to”, tha Taleblu.

Një mbështetës i madh i shkatërrimit të plotë të programit bërthamor iranian është Netanyahu, i cili ka hedhur idenë e një “marrëveshjeje në stilin e Libisë,” një ide që Teherani e ka kundërshtuar.

Të tjerë argumentojnë se çdo kërkesë për shkatërrimin e plotë të programit do të vlerësohej në Teheran si vetëvrasje politike.

“Kërkesat e SHBA-së për shkatërrimin e plotë, ose një marrëveshje ‘në stilin e Libisë’, që përfshin prishjen e të gjithë programit bërthamor iranian, do të ishin të papranueshme për Teheranin”, tha Gregory Brew, analist për Iranin në “Eurasia Group”, me seli në Nju Jork.

Brew tha se vendosja e një skeme verifikimi për të mbajtur nën kontroll programin bërthamor të Iranit do të ofronte, të paktën, një bazë për diskutime të mëtejshme.

“Por, nëse Uashingtoni këmbëngul për të rrënuar plotësisht programin bërthamor të Iranit, bisedimet do të përfundojnë shpejt dhe rreziku për përshkallëzim ushtarak do të rritet”, shtoi Brew.

A është Irani i gatshëm të rrezikojë deri në një luftë të mundshme?

Marrëveshja bërthamore e vitit 2015, nga e cila Trump u tërhoq në vitin 2018, përfundon zyrtarisht në tetor. Me përfundimin e saj, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do ta humbasë fuqinë për të rivendosur sanksione ndaj Iranit. Pra, Perëndimit po i soset si koha, ashtu edhe me durimi.

Trump e ka paralajmëruar Iranin se do ta bombardojë, nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Franca, një tjetër anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe nënshkruese e marrëveshjes së vitit 2015 – ka shprehur shqetësimin se mungesa e një marrëveshjeje të re do ta bënte konfrontimin ushtarak, pothuajse të pashmangshëm.

SHBA-ja ka shtuar ndjeshëm praninë ushtarake në rajon. Prej disa javësh, ajo kanë nisur sulme ajrore kundër rebelëve Huthi – të mbështetur nga Irani, duke përdorur armatimin më të sofistikuar, kundër një grupi që nuk ka as forca ajrore.

“Këto dislokime i ofrojnë SHBA-së kërcënim të besueshëm ushtarak, i cili mund të përdoret për ta rritur trysninë mbi Iranin”, tha Brew.

“SHBA-ja po dërgon sinjale të qarta se është e gatshme për një përshkallëzim nëse bisedimet dështojnë, ose nëse Irani avancon me programin bërthamor”, shtoi ai.

“Rreziqet për regjimin janë shumë të larta”, theksoi ai.

Por, Taleblu beson se Irani në thelb, është i kujdesshëm ndaj rreziqeve dhe nuk do të dëshironte një përballje ushtarake.

“Ka raste në histori – edhe pse të rralla – ku regjimi është tërhequr dukshëm nga një synim sigurie për të cilin ka investuar shumë kapital”, tha ai.

“Kur Teherani ka ndier forcë dhe vendosmëri për shtimin e ndëshkimeve dhe imponimin e kostove me kalimin e kohës, që mund të kërcënojnë seriozisht regjimin, ai është tërhequr”, theksoi ai.

Tani do të ketë diplomaci në Oman. Koha po mbaron. Pyetja është: kush do të tërhiqet i pari? /atsh/

Share This