
OKB: Rreth 13 000 civilë të vrarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës
Kombet e Bashkuara vlerësojnë se rreth 13 000 civilë janë vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, tha dje koordinatori i ndihmës emergjente të OKB-së, Tom Fletcher në Këshillin e Sigurimit.
Sipas të dhënave nga Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), janë raportuar të paktën 12 910 vdekje në Ukrainë – duke përfshirë 682 fëmijë – dhe afro 30 700 të plagosur midis 24 shkurtit 2022 dhe 31 marsit 2025.
Fletcher tha se numri i vërtetë ka të ngjarë të jetë shumë më i madh. “Më shumë se 170 civilë u raportuan të vrarë vetëm nga fundi i shkurtit deri në fund të marsit”, tha ai.
Të premten e kaluar, një sulm ajror në një zonë rezidenciale në qytetin juglindor, Kryvyi Rih shkaktoi vdekjen e 20 njerëzve, përfshirë nëntë fëmijë.
Fletcher theksoi se ligji ndërkombëtar nuk po zbatohet në Ukrainë dhe konflikte të tjera në mbarë botën.
“Jo vetëm që nuk po i qëndrojmë fuqishëm ligjit ndërkombëtar, por në disa raste po mbështesim poshtërimin e tij”, tha Fletcher.
“Ky është filli i përbashkët që lidh këto konflikte. Dhe nëse parimet tuaja zbatohen vetëm për kundërshtarët tuaj, atëherë ato nuk janë parime humanitare”, theksoi ai.
Pas sulmeve të fundit ruse Ukraina nisi takimin urgjent të Këshillit të Sigurimit
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha tha se Kievi po kërkonte një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pas sulmit rus në Kryvyi Rih.
Sybiha tha se ky ishte numri më i madh i fëmijëve ukrainas të vrarë në një sulm të vetëm që nga viti 2022 – kur Rusia pushtoi Ukrainën fqinje.
“Rusia duhet të ndalë terrorin e saj kundër fëmijëve dhe civilëve ukrainas, t’i përgjigjet propozimit të armëpushimit të plotë të SHBA-së, të cilin Ukraina e ka pranuar – dhe t’i japë fund luftës”, shkroi ai në X.
“Një përgjigje e fuqishme ndërkombëtare ndaj mizorive ruse është kritike. Një terror i tillë nuk duhet të normalizohet kurrë. Ne bëjmë thirrje për dënim të ashpër dhe veprim të vendosur”, tha ministri.
Moska e ka konfirmuar sulmin, por tha se sulmi kishte shënjestruar komandantët ukrainas dhe instruktorët e tyre perëndimorë.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës në Kiev e ka përshkruar deklaratën e Moskës si një gënjeshtër.
Pamjet e skenës së sulmit të publikuara nga pala ukrainase nuk treguan asnjë provë për ndonjë objektiv ushtarak.
Ukraina ka mbrojtur veten kundër pushtimit rus në shkallë të gjerë që nga shkurti i vitit 2022. /atsh/