
Rummenigge: Inzaghi është një fenomen, s’jemi favoritë
Ish-presidenti dhe anëtari aktual i bordit mbikëqyrës së Bayern Munichut, Karl-Heinz Rummenigge, në një intervistë për ‘Bild’, ka folur para përballjes së shumëpritur mes Bayern Munich dhe Interit.
Bayern dhe Inter do të ballafaqohen sonte në ‘Allianz Arena’ në ndeshjen e parë të çerekfinales së Ligës së Kampionëve.
Rummenigge e ka vlerësuar lartë punën që po bën trajneri i kampionëve në fuqi të Italisë, Simone Inzaghit.
“Për mua është një surprizë pozitive. Në nivel kombëtar ka fituar shumë dhe ndoshta do të fitojë sërish ‘Scudetton’ këtë vit. Po ashtu, po bën mirë edhe në Evropë. Në vitin 2023 isha në Stamboll kur përballoi Manchester Cityn në finalen e Ligës së Kampionëve. Është një ish-skuadër e imja dhe mendoj se Inzaghi është një fenomen”, ka thënë Rummenigge.
Sa i përket ndeshjes së mbrëmjes së sotme dhe përballjes në përgjithësi, Rummenigge mendon se në duelin mes Bavarezëve dhe Zikaltërve nuk ka favoritë.
“Do të jenë dy ndeshje shumë të vështira, mes skuadrave të një niveli shumë të lartë. Duhet të jemi në maksimumin tonë, në të dyja sfidat dhe gjatë gjithë kohës së lojës. Askush nuk duhet të mendojë se ne jemi favoritë, sepse nuk jemi”, theksoi legjenda gjermane.
Përballja mes Bayern Munich dhe Interit nis në orën 21:00, dhe pritet të jetë një nga sfidat më të forta të kësaj faze të garave në Champions.