Macron: Shumë shpejt për të folur për heqjen e sanksioneve kundër Moskës

Macron: Shumë shpejt për të folur për heqjen e sanksioneve kundër Moskës

Presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi sot se ishte “shumë shpejt” për të folur për heqjen e sanksioneve të vendosura ndaj Moskës, pas pushtimit të Ukrainës, duke shpjeguar se kjo do të varet “nga zgjedhja e Rusisë për të respektuar ligjin ndërkombëtar”.

Duke diskutuar së bashku me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky në Paris, presidenti francez siguroi se ai kishte një “qasje pacifiste”.

Edhe Bashkimi Evropian ka refuzuar thirrjet për lehtësimin e sanksioneve ndaj Rusisë, pas bisedimeve në Riad, të mbështetura nga SHBA, për luftën në Ukrainë, duke këmbëngulur se çdo hap i tillë do të konsiderohet vetëm nëse i shërben interesave të Kievit.

Zëdhënësja e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas tha sot se blloku mori parasysh propozimet e bëra në Riad këtë javë që synojnë sigurimin e lundrimit të sigurt në Detin e Zi dhe ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike në Ukrainë dhe Rusi.

Por, ajo tha se i takon Rusisë që të tregojë vullnetin aktual politik për t’i dhënë fund luftës së saj të paprovokuar kundër Ukrainës.

“BE-ja mbetet e gatshme të punojë me Ukrainën, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë në hapat e ardhshëm”, tha ajo.

Rusia pretendon se disa sanksione të BE-së duhet të hiqen për të finalizuar çdo marrëveshje për transportin tregtar në Detin e Zi. /atsh/

Share This