Marrëveshja me Shqipërinë dhe Kosovën për mbrojtjen, Kroacia i përgjigjet Serbisë: Koha kur pyesnim Beogradin ka marrë fund

Marrëveshja me Shqipërinë dhe Kosovën për mbrojtjen, Kroacia i përgjigjet Serbisë: Koha kur pyesnim Beogradin ka marrë fund

“Ka ikur ajo kohë kur Kroacia e pyeste Beogradin”, kështu e nis reagimin e tij ministri kroat i Mbrojtjes,  Ivan Anusiç, kundër shqetësimit të presidentit serb Aleksandër Vuçiç për marrëveshjen trepalëshe mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë në fushën e mbrojtjes.

Ivan Anusiç reagoi në rrjetin social X, duke kujtuar marrëdhëniet jo të mira me Serbinë.

“Ka kaluar koha kur Kroacia i kërkonte leje Beogradit për atë që mund dhe duhet të bëjë, dhe kjo nuk do të ndodhë më kurrë. Prej 35 vitesh jemi një shtet i pavarur, kemi kaluar pesë vite agresioni dhe një politikë që promovonte një narrativë të tillë. Kroacia do të nënshkruajë deklarata me kë të dëshirojë, dhe bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Kosovën është i fokusuar në shkëmbimin e njohurive, bashkëpunimin e industrive ushtarake dhe mbështetjen e rrugës euroatlantike të Shqipërisë dhe Kosovës”, thuhet në reagimin e Anusiç.

Shqipëria, Kroacia dhe Kosova zyrtarizuan të martën nga një perspektivë rajonale një aleancë të mirëfilltë mbrojtjeje. Referuar deklaratës zyrtare, bashkëpunimi synon forcimin e aftësive mbrojtëse, zhvillimin e industrisë dhe teknologjisë së Mbrojtjes, si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak në rajon.

Gjithashtu, Shqipëria dhe Kroacia do të “punojnë ngushtësisht për unifikimin e qëndrimeve politike”, në mbështetje të aspiratave të qytetarëve të Kosovës për “integrim të plotë në strukturat rajonale dhe euroatlantike”.

Por mbi këtë marrëveshje reagoi Presidenti Vuçiç i cili theksoi se Serbia ka doktrinën e saj, e cila “do të sigurojë stabilitet dhe mbrojtje kundër çdo agresori të mundshëm”. Ndër të tjera, ai nuk harroi të përmendte se Kroacia në “aspektin ushtarak” është një vend “shumë i fuqishëm”, teksa theksoi se Serbia për herë të parë ka “një ushtri më të fortë”. /RTSH/

Share This