
KGJK-ja mirëpret opinionet e Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka mirëpritur opinionet e Komisionit të Venecias, për projektligjet që kanë të bëjnë me KGJK-në, me rekrutimin dhe vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, me procedurën disiplinore për gjyqtarë dhe prokurorë dhe Akademinë e Drejtësisë.
Këto opinione janë miratuar gjatë Sesionit të 142-të Plenar të Komisionit më 14-15 mars 2025.
Në një komunikatë për medie, KGJK vlerësoi analizën e Komisionit të Venecias për pakon legjislative, duke theksuar se “projektligjet janë përgjithësisht në harmoni me standardet evropiane”.
Këshilli nënvizon se rekomandimet e Komisionit janë të “mirëseardhura” dhe do të luajnë një rol të rëndësishëm në forcimin e pavarësisë, efikasitetit dhe integritetit të sistemit gjyqësor të Kosovës.
Projektligjet, të cilat janë rezultat i një angazhimi të përbashkët për reformën në drejtësi, janë nënshkruar më 14 mars 2023 nga Ministria e Drejtësisë, KGJK, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), Gjykata Supreme dhe Prokurori i Shtetit.
KGJK ka shprehur angazhimin për të përmbyllur procesin e miratimit të këtyre projektligjeve në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e tjera vendore dhe ndërkombëtare.
Në lidhje me rekomandimet, KGJK ka theksuar disa pika kyçe që do të ndikojnë në përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, duke përfshirë: Sigurimin e pavarësisë institucionale të KGJK-së dhe shmangien e çdo ndikimi të panevojshëm nga ekzekutivi apo organet e tjera të pushtetit”; Përmirësimin e procedurave të rekrutimit, emërimit dhe vlerësimit të performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve duke siguruar standarde të qarta dhe të parashikueshme; Sigurimin e një sistemi më të qëndrueshëm dhe të drejtë të kontrollit të integritetit dhe disiplinës në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe standardet evropiane si dhe Garantimin e trajnimeve cilësore për gjyqtarët.
KGJK gjithashtu ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuuar në hartimin e kësaj pakoje ligjore, përfshirë gjyqtarët, ekspertët, institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile.
“Kontributi i tyre ka qenë i një rëndësie të veçantë për sigurimin e një reforme gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në standarde të larta profesionale”, theksohet në njoftimin e KGJK-së.
Në përmbyllje, KGJK ka bërë thirrje për adresimin sa më të shpejtë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe ka theksuar rëndësinë e përparimit të reformës në drejtësi, si një element kyç në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian. “Progresi në zbatimin e kësaj reforme është thelbësor për ndërtimin e një sistemi gjyqësor të besueshëm, transparent dhe efikas, që i shërben qytetarëve dhe rrit besimin e publikut në drejtësi”, thuhet në komunikatën për medie.